Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Ai këtë deklaratë e bëri lidhur me njoftimin e Policisë së Kosovës se që katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë qëndruar disa minuta te hyrja e objektit te pala serbe, në stacionin policor kufitar në Merdarë.
Sveçla tha se nuk është hera e parë që Serbia bën shkelje të tilla të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Ai tha se Kosova është e rrezikuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë.
Por Ministri i Brendshëm ka thënë se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë “që qëllimet hegjemoniste të Serbisë të zmbrapsen”.
“Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne jemi të gatshëm me u ballafaqu me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë t’i prezantojmë ato te partnerët tanë si një dëshmi shtesë se Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim.
Është e qartë që Kosova është e rrezikuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë, i gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbush qëllimet e tyre, që jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por janë edhe kriminale për ne.
Dëshmi shtesë se Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim pavarësisht marrëveshjeve që i ka nënshkru. Tash në të njëjtën kohë institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë në mënyrë që kërcënimet e Serbisë të zmbrapsen në çdo moment, tash dhe në të ardhmen. Unë jam i bindur që këto provokime do të dështojnë”, tha Sveçla para mediave.
Policia e Kosovës ka thënë se të hënën rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, ata janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare ‘që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror’.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.
“Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim.”, thuhet në reagimin e Policisë.
Në fundjavë, kryeministri Albin Kurti njoftoi për një provokim tjetër nga Serbia. Kurti tha se Serbia ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.