Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Xhaka për përplasjen me futbollistin danez: Nuk bëhen gjëra si ajo

Xhaka për përplasjen me futbollistin danez: Nuk bëhen gjëra si ajo

Granit Xhaka ka udhëhequr si kapiten Zvicrën në barazimin pa gola me Danimarkën, të shtunën në Kopenhagë.

Mediat në Zvicër kanë shkruar shumë për përplasjen që kishte Xhaka me lojtarin danez, Morten Hjulmand, në minutën e 68-të.

Danezi fillimisht e fauloi Xhakën e më pas e goditi atë derisa ishte shtrirë në tokë. Dhe Xhaka u përgjigj duke e kapur për fanelle, në afërsi të fytit.

“Nuk bëhen gjëra si ajo”, ka thënë Xhaka për veprimin e Hjulmandit.

“Jam munduar të qëndroj i qetë gjithë sezonin dhe më pas dikush ka ndjenjën se duhet t’i tregojë trajnerit që i takon përbërjes bazë”, ka shtuar mesfushori luftarak.

Xhaka ka thënë se bëhet fjalë për respektin, ndërsa nuk ka komentuar më gjatë. Ka thënë se pyetjet e tjera duhet t’i bëhen lojtarit danez.

Ishte ky momenti i vetëm i tensionuar në ndeshjen Danimarkë – Zvicër. Seria pa fitore e Zvicrës ka vazhduar. 31-vjeçari Xhaka është ndar i kënaqur.

“Synimi ishte të mbajmë portën të paprekur pas një kohe të gjatë. Dhe nuk kemi lejuar thuajse asgjë. Ishim më kompaktë, kemi treguar fytyrë tjetër dhe ishim të bashkuar sërish”, ka theksuar Xhaka.

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka bërë ndryshime në sistemin e lojës. Ka vendosur për tre mbrojtës qendrorë.

“Është e vështirë të luhet me këtë sistem në mënyrë të përkryer pas vetëm një javë stërvitje. Por pjesa e dytë ishte shumë më e mirë”, thotë Xhaka.

Mbrojtja me tre lojtarë shpesh është shndërruar në mbrojtje me pesë lojtarë.

“Nuk duam vetëm të kujdesemi që të mos pësojmë gola. Duam edhe të fitojmë”, thotë Xhaka.

Powered by WordPress