Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Washington Post: SHBA e shqetësuar, Netanyahu mund të nisë një luftë me Libanin për të mbijetuar politikisht

Washington Post: SHBA e shqetësuar, Netanyahu mund të nisë një luftë me Libanin për të mbijetuar politikisht

Ndërkohë që flitet për mundësinë e sulmeve të Izraelit në Liban, SHBA ka paralajmëruar liderët izraelitë se një hap i tillë nuk do të ishte lëvizja “më e zgjuar”.

Duke cituar vlerësimin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA (DIA), Washington Post raporton se zyrtarët e administratës së Biden kanë paralajmëruar “privatisht” Izraelin, se një luftë me Hezbollah në Liban, ndërkohë që vijon lufta në Gaza, do të dobësonte forcat ushtarake të Izraelit.

“Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të shohë mundësinë e zgjerimit të luftës në Liban, si çelës për mbijetesën e tij politike mes kritikave të brendshme”, thuhet në raport.

Hezbollahu, i cili ka ushtarë të trajnuar mirë dhe dhjetëra mijëra raketa dëshiron të shmangë një përshkallëzim të madh, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët thanë se udhëheqësi i grupit, Sayyed Hasan Nasrallah, po kërkon të shmangë një luftë më të gjerë.

Në një fjalim të premten, Nasrallah u zotua se do t’i përgjigjet agresionit izraelit, duke lënë të kuptohet se ai mund të jetë i hapur për negociata për demarkacionin e kufirit me Izraelin.

Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të mbërrijë në Izrael të hënën, ku do të diskutojë hapat specifikë për të “shmangur përshkallëzimin”, tha zëdhënësi i tij, Matt Miller.

“Nuk është në interesin e askujt as të Izraelit, as të rajonit, as të botës që ky konflikt të përhapet përtej Gazës”, tha Miller.

Që nga sulmi i Hamasit në tetor, zyrtarët izraelitë kanë diskutuar nisjen e një sulmi ​​ndaj Hezbollah, thanë zyrtarët amerikanë. Kjo perspektivë është kundërshtuar nga SHBA-të për shkak të gjasave që do të tërhiqte Iranin në luftë.

Situate u tensionua edhe më shumë të shtunën pasi Hezbollahu lëshoi ​​rreth 62 raketa në Izrael në përgjigje të vrasjes së liderit të lartë të Hamasit Saleh Arouri dhe gjashtë të tjerëve në një sulm ajror në periferi të Bejrutit, kryeqyteti i Libanit, ditë më parë.

Zyrtarët amerikanë kanë frikë se një konflikt në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Libanit do të tejkalonte gjakderdhjen e luftës Izrael-Liban të vitit 2006 për shkak të arsenalit të madh të armëve me rreze të gjatë dhe precize të Hezbollah.

Powered by WordPress