Warren Buffett sapo ka ndryshuar mendimin rreth asaj se si do të shpenzohet pasuria e tij e konsiderueshme pas vdekjes së tij.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Buffett, 93, kryetari i Berkshire Hathaway, i tha Wall Street Journal se ai ka ripunuar testamentin e tij – dhe se ai nuk planifikon të vazhdojë donacionet për Fondacionin Bill & Melinda Gates pasi të vdesë.
Kështu ai do ta vendosë pasurinë e tij në një fond të ri bamirësie të mbikëqyrur nga tre fëmijët e tij, tha ai.
“Fondacioni Gates nuk do të ketë para që do të vijnë pas vdekjes sime”, citohet të ketë thënë Buffett.
Buffett i tha Journal se e ka ndryshuar testamentin e tij disa herë dhe ai hartoi planin më të ri për shkak të besimit që ka në vlerat e fëmijëve të tij dhe se si ata do ta shpërndajnë pasurinë e tij.
Secili nga fëmijët e Buffett ka organizatat e veta filantropike.
“Ndihem shumë, shumë mirë për vlerat e tre fëmijëve të mi dhe kam 100% besim në mënyrën se si ata do t’i bëjnë gjërat”.
Më parë, Buffett kishte thënë se testamenti i tij thoshte se më shumë se 99% e pasurisë së tij ishte caktuar për përdorim filantropik për Fondacionin Bill & Melinda Gates dhe katër organizatat bamirëse të lidhura me familjen e tij.
Buffett dhuroi rreth 870 milionë dollarë vitin e kaluar për katër organizatat bamirëse të drejtuara nga familja e tij dhe rreth 750 milionë dollarë për to në vitin 2022.
Pas donacioneve të shpallura rishtazi, Buffett zotëron 207,963 aksione të Berkshire Hathaway Klasa A dhe 2,586 aksione të Klasit B, tha kompania.
Vlera e aksioneve është afërsisht 128 miliardë dollarë.