Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Waltz-i thotë se Trumpi është shumë i frustruar me Zelenskyn pas fyerjeve “të papranueshme” ndaj tij

Waltz-i thotë se Trumpi është shumë i frustruar me Zelenskyn pas fyerjeve “të papranueshme” ndaj tij

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duhet të kthehet në tavolinën e bisedimeve për të nënshkruar një marrëveshje për qasjen e Shteteve të Bashkuara në mineralet kritike të Ukrainës.

Të mërkurën, Zelensky i refuzoi kërkesat e Shteteve të Bashkuara për ndarjen e mineraleve të rralla të Ukrainës, një “marrëveshje” e cila, sipas Trumpit, do ta pasqyronte sasinë e ndihmave që ShBA-ja ia ka ofruar Ukrainës gjatë luftës së saj me Rusinë, raporton televizioni BBC.

Waltz-i tha se Shtëpia e Bardhë është “shumë e frustruar” me Zelenskyn, pasi ai shprehu fyerje “të papranueshme” ndaj presidentit Donald Trump më herët këtë javë.

Ukraina ka rezerva të mëdha të elementeve dhe mineraleve kritike, përfshirë litiumin dhe titanin, si dhe sasi të konsiderueshme të rezervave të thëngjillit, gazit, naftës e uranit – me vlerë të miliarda dollarëve.

Më herët të enjten, këshilltari amerikan sugjeroi se qasja e ShBA-së në minerale të rralla në Ukrainë do të mund të shkëmbehej me ndihma, ose edhe si kompensim për përkrahjen që Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë dhënë.

“Ne ua prezantuam ukrainasve vërtet një mundësi të pabesueshme, historike” – tha ai, duke shtuar se pakti do të ishte “i qëndrueshëm” dhe garancia “më e mirë” e sigurisë për të cilën do të mund të shpresonte Ukraina.

Megjithatë, Zelensky e kishte refuzuar ofertën, duke thënë: “Unë nuk mund ta shes shtetin tonë.”

Komentet e këshilltarit Waltz në Shtëpinë e Bardhë erdhën pak pas përfundimit të takimit të Zelenskyt me emisarin e Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, pas të cilit presidenti ukrainas tha se është i gatshëm për të bërë një “marrëveshje për investim dhe siguri” me ShBA-në për t’i dhënë fund luftës.