Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, në akademinë përkujtimore për 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka deklaruar thënë se jeta në Kosovë ka ndryshuar shumë nga koha e luftës.
“Jeni duke jetuar në një Kosovë që është krejtësisht ndryshe nga realiteti i vitit 1999”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “jo shumë vjet më parë ky nuk mund të ishte vend ku mund të bisedonim”.
“Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e jashtëzakonshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.
“Kosova sot është një storie suksesi në Evropë. Kam vetëm kritika për ata që nuk pranojnë këto fakte”, tha Walker.
“Reçaku ishte momenti kur bota mësoj çka po ndodhë në Kosovë. Kam luajtur një rol të vogël dhe krenohem që shoh se në Reçak jetojnë një jetë normale, punojnë, shkojnë në shkolla”, tha Walker.
Ai tregoi se si sot një vajzë e vogël nga Reçaku i dha një zarf ku brenda kishte një foto të tij.
“Një vajzë e vogël më doli përpara ma dha një zarf, kjo më preku shumë, kjo vajzë më foli anglisht, dhe më tha se mirësevini, dhe brenda ishte një fotografi e imja”, tha ai.
Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.
/TV Arbëria