Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Wadephul vjen në Ballkan: Turi diplomatik gjerman nis nga Sarajeva

Wadephul vjen në Ballkan: Turi diplomatik gjerman nis nga Sarajeva

Një tur diplomatik që mund të ndryshojë ekuilibrat në Ballkanin Perëndimor ka nisur me vizitën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul. Udhëtimi i tij në Evropën Juglindore synon të japë një përgjigje të qartë: A mbetet zgjerimi i BE-së me vendet e rajonit prioritet i Berlinit, apo po humbet Gjermania ndikim në skenën gjeopolitike?

Stacioni i parë është Sarajeva, ku tensionet e vazhdueshme të shkaktuara nga synimet separatiste të Republikës Srpska i kanë bërë sfidat politike të vendit edhe më të thella. Më pas, Wadephul zhvendoset në Podgoricë, ku Mali i Zi shihet si test për seriozitetin e BE-së në procesin e integrimit – dhe mbështetja e Gjermanisë mbetet kyçe për ritmin e tij evropian.

Në Tiranë, klima është më optimiste. Vizita e ministrit përkon me hapjen e kapitujve të negociatave të Shqipërisë me BE-në. Me mbi 80 për qind mbështetje qytetare për anëtarësimin, Shqipëria është një prej kampionëve të euro-entuziazmit në rajon. E megjithatë, Berlini pritet të kërkojë rezultate më të prekshme në luftën kundër korrupsionit. Por pika më e nxehtë e këtij turneu është Kosova. Wadephul mbërrin në Prishtinë në një moment politik jashtëzakonisht të brishtë.

Ndërsa Gjermania formoi qeverinë e re pak javë pas zgjedhjeve, Kosova po hyn në muajin e saj të pestë pa parlament funksional dhe me një qeveri që po e ushtron mandatin vetëm në detyrë. Rrjedhimisht, vendi ndodhet në një ngërç që rrezikon të frenojë çdo hap drejt BE-së.

Edhe pse krizat politike nuk janë të rralla në Ballkan, situata aktuale në Kosovë po shihet si veçanërisht problematike: dialogu me Serbinë ka ngecur, tensionet në veri vazhdojnë, ndërsa institucioneve kryesore u mungon stabiliteti. Sipas pritjeve diplomatike, Wadephul pritet të kërkojë nga udhëheqësit e Kosovës që të shmangin zvarritjet, të marrin vendime dhe t’i hapin rrugë zgjidhjes politike, me zgjedhjet e reja që duken më të pashmangshme se kurrë.

Mesazhi që pritet të sjellë ai është i qartë: Pa institucione funksionale, Kosova nuk mund të ecë me ritmin që kërkon integrimi evropian. Për Berlinit, stabiliteti politik në Kosovë është i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e rajonit dhe me balancën e ndikimit midis BE-së dhe Rusisë.

Kjo e bën ndalesën në Prishtinë një nga më të rëndësishmet e turit. Ndërkohë, në Shkup, ngecja vazhdon: Maqedonia e Veriut nuk po arrin t’i realizojë ndryshimet kushtetuese për futjen e pakicës bullgare – një kusht i BE-së që po e mban vendin të bllokuar në vend.

Pritjet për Wadephul janë të larta në të gjitha kryeqytetet. Por në fund, mbetet një pyetje më e madhe: A do të bëhet Gjermania motori që e shtyn Ballkanin Perëndimor drejt BE-së, apo stagnimi i vazhdueshëm do t’i hapë dyert ndikimit të Rusisë dhe Kinës?/TVArbëria