Situatë e pazakontë në Kuvendin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të procedojë me hapat për zgjedhjen e Presidentit, edhe pse në sallë nuk ndodhet asnjë deputet nga partitë kryesore opozitare PDK, LDK, AAK, shkruan Insajderi.
Me prezencën e vetëm 64 deputetëve në sallë, Kuvendi ka votuar për formimin e Komisionit që do të menaxhojë procesin e votimit për dy kandidatet e propozuara: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Ky hap teknik ka kaluar me votat e mazhorancës dhe komuniteteve joserbe, por ka ndezur menjëherë debatin për ligjshmërinë e procesit.
A mund të zgjidhet Presidenti pa 80 deputetë?
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve (80 vota) në dy raundet e para.
Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë (61 vota).
PDK dhe partitë e tjera opozitare kanë bërë të qartë se nuk do të kthehen në sallë, duke e cilësuar këtë si një tentativë për “kapje të institucioneve” dhe “proces jolegjitim”.
Nëse VV tenton të shkojë deri në fund të votimit me vetëm 64 deputetë, ky vendim pothuajse me siguri do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, gjë që mund ta fusë vendin në një krizë të re institucionale.