Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur të mërkurën konferencë për media, në të cilën kanë prezantuar punën e Kuvendit të Kosovës për vitin 2023.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se legjislatura e tanishme është ndër më të suksesshmet që ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ajo tha se gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës janë miratuar 71 ligje. Kusari-Lila me këtë rast përmendi edhe ligjet kryesore që janë miratuar gjatë këtij viti.
“Me kënaqësi mund të ju them se deri me tani ne më pak se tri vite jemi legjislatura më e suksesshme në Kosovë. Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 52 seanca plenare, janë miratuar 71 ligji përkundër sfidave kemi arriturat që të hyjmë në reformë përmbajësore”, tha ajo.
Deputeti i VV-së Adnan Rrustemi, ka thënë se përkundër sfidave që janë përballur, Kuvendi ka arritur që të shtyjë përpara ligje të ndryshme dhe se vec në sesionin vjeshtor janë 27 ligje dhe 5 marrëveshje ndërkombëtare.
“Përkundër çdo sfide dhe vështirësive që jemi përballur edhe si vend edhe si Kuvend GP i VV ka arritur që të shtyjë përpara ligje të ndryshme. Ligji për Byron Shtetërore për konfiskimin e pasurisë, Ligji për Prokurorin e shteti, ligjin për Institutin për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.
“Në sesioni vjeshtor kemi miratuar 27 ligje dhe 5 marrëveshje ndërkombëtare. Është legjislatura me e suksesshme. Janë në procedura edhe 45 ligje”, tha ai.
Kusari-Lila, sa i përket vendimi të djeshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për paga, tha se e respektojnë, por që ende nuk e kanë parë të plotë.
“Gjykata Kushtetuese ka jep mendimin e vetë. Në esencë është prekur objektivi që është synuar me ligjin për paga. E respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por ende nuk e kemi parë të plotë aktvendimin”, tha ajo.