Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > VV e LDK i sheh si provokim stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës, kërkojnë angazhim të mos përsëritet rasti i Banjskës

VV e LDK i sheh si provokim stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës, kërkojnë angazhim të mos përsëritet rasti i Banjskës

Stërvitja e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës, po shihet me shqetësim të madh nga mazhoranca e partitë opozitare. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se stërvitje të tilla janë për konsum të brendshëm politik, teksa Serbinë e quajnë destruktive.

Nga mazhoranca thonë se edhe shtimi i trupave të KFOR-it ndërlidhet me këto stërvitje, ndërsa nga LDK konsiderojnë se stërvitje të tilla janë si synim për të shpërfaqur “brengën” që ka Serbia për komunitetin serb në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë se edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh Serbinë si faktor destabiluzues në Ballkan.

Ai thotë se edhe shtimi i forcave të KFOR-it ndërlidhet me stërvitjet e Serbisë dhe po i marrin seriozisht këto “lëvizje provokuese të Serbisë”.

Është e vërtetë që Serbia ka zhvilluar një manovër, stërvitje të madhe edhe ka demonstruar forcë, ka demonstruar një lloj superioriteti që pretendon ta ketë në Ballkan. Ka testuar disa lloj armatimesh, disa lloj dronësh të cilët janë të destinuar kryesisht për sulm edhe kjo është një lëvizje e radhës pra e Serbisë e cila tani po konsiderohet edhe nga shtetet e NATO-së si faktor me potencial për të shkaktuar destabilitet. Pra vetë rritja e prezencës së NATO-së në Ballkan pra në Kosovë përreth tregon se ata po i marrin seriozisht këto lëvizje provokuese të Serbisë të cilat kryesisht janë të drejtuar drejtë demonstrimit të atyre potencialeve sulmuese të ushtrisë serbe”, thotë Dugolli.

Në mënyrë që të mos përsëritet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, Dugolli thekson se institucionet kosovare janë duke punuar ngushtë me ndërkombëtarët, duke shkëmbyer edhe informata. Thotë se janë të gatshëm të përballen me çfarëdo provokimi nga Serbia.

Ne si institucione vendore pra Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës, e kështu më radhë po bashkëpunojnë ngushtë edhe me prezencën e NATO-së këtu në Kosovë, KFOR-in EULEX-in e kështu më radhë po bashkëpunojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtar me miqtë tanë të cilët janë këtu dhe po shkëmbejmë informacione në mënyrë që  të mos jemi të befasuar siç ndodhi pra në vitin e kaluar që e kishim një sulm me 24 shtator direkt të ardhur nga Serbia. Po punojmë në atë drejtim që të jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo provokimesh të llojit të tillë”, thotë Dugolli.

E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, thotë për Ekonomia Online se stërvitje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën por që kërkon nga institucionet të jenë të vëmendshme dhe të jenë në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Ai thotë se këto stërvitje kanë si mesazh se kinse institucionet e Serbisë po brengosën për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Është një fushë që çdo ditë evoluohet, çdo ditë ka risi, ka zhvillime të reja, por në fakt është ripërsëritje e situatave e proceseve më të cilën kemi kaluar, kur Serbia për çështje politike për konsum të brendshëm kohë pas kohë demonstron forcën e saj ushtarake policore me të cilën jep mesazh qytetareve të saj kinse për brengën që e kanë për komunitetin serb që e kanë brenda territorit të Kosovës, përkundër asaj që ata fare nuk janë të rrezikuar nga askush”, thotë Quni, teksa apelon tek institucionet kosovare që çdo veprim ta bëjnë me partnerët ndërkombëtar.

Të vetme çështjen që unë e kisha ngritur që Qeveria duhet të ketë në konsideratë që çdo veprim çdo aktivitet duhet të jetë mirë i bashkërenduar me partnerët tanë strategjikë. Ne jemi dëshmitarë se për disa situata, ka pas do të thotë vërejtje Kryeministri Kurti përderisa veprime që partnereve tanë i ka sjell para disa akteve të kryera”, thotë Quni.

/TV Arbëria

Powered by WordPress