Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vullnet Bugaqku nga KDI: Pas zgjedhjeve presim një qeveri stabile – Nevojiten reforma në sistemin e drejtësisë

Vullnet Bugaqku nga KDI: Pas zgjedhjeve presim një qeveri stabile – Nevojiten reforma në sistemin e drejtësisë

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ishte i ftuar në emisionin “N’PULT” në TV Arbëria, me moderatorin Resim Morina. Bugaqku nga organizata KDI ka treguar se sa po përparon shoqëria e Kosovës në aspektin demokratik.

Ai për këtë ka thënë se Kosova ka një përparim sa i përket demokracisë duke e marrë faktin se jemi formuar si shtet pas luftës.

“Në kuptimin e përgjithshëm ka një përparim, ka një të arritur Kosova, jemi një shtet që kemi dalë pas luftës, kemi shpallur pavarësinë, kemi institucionet, jemi ende në një fazë të etablimit të legjislacionit dhe të shoqërisë, edhe nga çështjet e zhvillimit të kulturës, institucioneve, por edhe të arsimimit e zhvillimit të ekonomisë, ndonëse jo në një nivel të pritshëm”, ka thënë ai.

Bugaqku ka përmendur edhe problemet me të cilat po përballet Kosova.

“Por megjithatë, si institucionet, jemi duke performuar ashtu siç duhet në kuptimin e qeverisjes dhe sfidave, me probleme në kuptimin e administrimit të shumë proceseve, qoftë anëtarësimit, qoftë të njohjeve ndërkombëtare, qoftë të politikave të brendshme që i kemi.”

Hulumtuesi nga KDI ka theksuar se si organizatë presin që pas këtyre zgjedhjeve, Kosova të ketë një qeveri stabile dhe thotë se Kosova ka nevojë të forcojë sundimin e ligjit.

“Pra, ne presim që pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve të kemi një qeveri stabile, të kemi një qeveri që i vazhdon punët, qoftë në infrastrukturë, qoftë në shëndetësi, qoftë në arsim, madje ku është shumë e rëndësishme të fillojë të vazhdojë edhe dinamika e reformave në sistemin e drejtësisë. Ka qenë edhe i gjithë fokusi i mandatit të kaluar të qeverisjeve të kaluara që Kosova ka nevojë domosdoshmërisht ta forcojë sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës dhe mbi të gjitha të zhvillojë sistemin gjyqësor dhe të kemi efikasitet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ai në TV Arbëria.

Ndër të tjera, Bugaqku thotë se Kosova ka një demokraci të konsoliduar, por në faza-faza ka disa ngecje.

“Mirëpo, në përgjithësi, marrë për bazë modelet e rajonit, unë mendoj që jemi një shtet që kemi demokraci të konsoliduar, por në faza-faze, kohë pas kohe, kemi disa ngecje, qoftë nga aspekti i lirisë së medias, respektimi i të drejtave të njeriut, të drejtave të punëtorëve… por megjithatë, me kalimin e kohës, besoj që do të arrijmë nivelin e duhur”, ka thënë ai në emisionin “N’PULT” në TV Arbëria.