Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vulin mbështetet në regjimin autoritar të Rusisë, kërkon më shumë armë për Serbinë

Vulin mbështetet në regjimin autoritar të Rusisë, kërkon më shumë armë për Serbinë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka treguar edhe një herë prirjen e tij drejt një politike që e ndan gjithnjë e më shumë Serbinë nga vlerat dhe integrimet evropiane dhe e afron atë me regjimet autoritare. Në samitin e BRICS në Kazan, Vulin shprehu mbështetje të hapur për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë dhe pranimin e Serbisë në BRICS, duke injoruar pasojat që një politikë e tillë mund të ketë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Duke e paraqitur Serbinë si “neutrale” në një intervistë për median pro-Kremlinit RIA Novosti, Vulin theksoi “kënaqësinë” e tij me pajisjet ushtarake ruse dhe shprehu gatishmërinë për blerje shtesë, duke injoruar sanksionet perëndimore kundër Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës. “Pajisjet ruse janë të shkëlqyera dhe ne jemi shumë të kënaqur me të”, tha Vulin, duke injoruar plotësisht pasojat që një politikë e tillë mund të ketë në rrugën evropiane të Serbisë dhe në stabilitetin e rajonit.

Përveç kësaj, Vulin tregpi gatishmëri që Serbia t’i bashkohet BRICS, i përbërë nga vende me regjime autoritare si Rusia dhe Kina.

Në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vulin vazhdoi të kritikonte BE-në duke e akuzuar atë se “gënjente Serbinë”. Megjithatë, ai ka injoruar faktin se Serbia, dhe veçanërisht zyrtarët e saj të lartë, nuk kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt një dialogu konstruktiv.

Dhe ndërsa BE-ja lufton për të ruajtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, Vulin preferon qartë partneritetet me ata që mbështesin regjimet jodemokratike. Fjalët e tij për “lirinë e zgjedhjes” në BRICS janë vetëm një “perde tymi” që fsheh realitetin se Serbia po bëhet pjesë e rrethit të vendeve që luftojnë kundër vlerave perëndimore.