Të mërkurën, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë arritur mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger”, si pjesë e kontratës së nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe kompanisë së mirënjohur turke Baykar.
Dronët e tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger FPV janë të pajisur me mjete shpërthyese dhe janë të destinuar për goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike. Ky zhvillim është konsideruar një hap i rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Por reagimet nuk kanë munguar nga Serbia. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj kësaj lëvizjeje përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), duke akuzuar Turqinë për përshkallëzim të situatës në rajon.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës,” shkroi Vuçiq.
Ai tha se veprimet e Turqisë dëshmojnë, sipas tij, një tendencë historike për ndikim rajonal:
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ëndërron të rivendosë përsëri Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin,” deklaroi ai.