09:22 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vuçiq: Pres nga SHBA ta inkurajojë Prishtinën t’i përmbushë obligimet

Vuçiq: Pres nga SHBA ta inkurajojë Prishtinën t’i përmbushë obligimet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në Beograd, ka deklaruar se pret që SHBA të inkurajojë Kosovën që “të përmbushë obligimet e marra në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.

“Shpreha pritjen që SHBA të pranojë “përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, si dhe të përdorë ndikimin e saj të padyshimtë dhe të inkurajojë Prishtinën që të “përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”, por edhe të vazhdojë dialogu në frymën e shkëmbimit të sinqertë dhe të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave specifike”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram me një foto me Chollet.

Ai shtoi se ka pasur një “bisedë domethënëse dhe të hapur” me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më 12 janar, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, arriti në Beograd nga Prishtina.

Pas një dreke pune me Vuçiqin, ai ka biseduar ndaras me kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiq.

Një nga temat e diskutimit ishte vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe planin evropian për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai plan iu dorëzua autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA.

/TV Arbëria