Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se vazhdimi i armatosjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës synon të largojë plotësisht çdo gjurmë të ekzistencës së Serbisë nga territori i Kosovës.
Udhëheqësi serb ka reaguar pas lajmeve se Kosova pritet të blejë raketa amerikane “Javelin” në vlerë të 75 milionë dollarëve, raporton nova.
Vuçiq ka thënë se Kosova po formon forca jashtëzakonisht të fuqishme dhe se ajo po udhëhiqet nga Amerika, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, duke theksuar se për këtë Serbia duhet të forcojë në mënyrë drastike ushtrinë e saj.
“Deri në vitin 2027 ata planifikojnë të kenë 5,500 ushtarë profesionistë dhe 20,000 rezervistë”, tha ai.
Udhëheqësi serb tha se nuk lejohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe vendimit të Kombeve të Bashkuara, por nuk janë të interesuar për këtë “sepse munden”. Ai saktësoi se Kosova merr ndihmën më të madhe ushtarake nga SHBA-ja, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga Kroacia.
Sipas tij, situata nuk është e lehtë sepse Serbia është e rrethuar nga aleanca e NATO-s, forcat e së cilës janë të dislokuara edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
“Ne duhet të kemi një ushtri të fortë, sepse pa të nuk mund të ekzistojmë si shtet”, ka theksuar Vuçiq.
Ky i fundit gjithashtu pohoi se Forcat e sigurisë së Kosovës kanë 223 automjete të blinduara dhe se planifikojnë ta rrisin këtë numër në 350.
Siç ka thënë ai, forcat e parregullta dhe ilegale të shqiptarëve në Kosovë fare nuk duhet të ekzistojnë.
Lideri serb po ashtu tha se plani është që të rritet numri i këtyre automjeteve të blinduara, por edhe numri i personelit.
“Dëshirojnë të rritin numrin edhe për 350 automjete të blinduara, duan të kenë 5500, siç thonë ata, ushtarët profesionistë deri në vitin 2027 dhe 20 mijë të tjerë si rezervistë. Këto janë planet e tyre. Nuk ka surpriza për ne. Amerika e urdhëheq atë, Amerika e menaxhon atë, ekspertë të mëdhenj, njerëz seriozë e bëjnë këtë, ata do të jenë mendërisht, fizikisht dhe organizativisht, shumë, shumë të gatshëm. Amerikanët dhe NATO-ja po e bëjnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze dhe të përgjegjshme”, tha Vuçiq. /Telegrafi/