Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vuçiq kërkon heqjen e barrikadave, do të mbajë sonte takim me serbët e Kosovës

Vuçiq kërkon heqjen e barrikadave, do të mbajë sonte takim me serbët e Kosovës

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Petar Petkoviq ka bërë të ditur se sonte presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të ketë një takim me serbët e Kosovës për të biseduar lidhur me largimin e barrikadave.

Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se Vuçiq ka kërkuar heqjen e barrikadave dhe se lidhur me këtë çështje do të mbajë një takim me serbët e Kosovës, pas së cilës do të dilet me vendimin sa i përket çështjes së barrikadave.

Petkoviq: Vuçiq kërkon heqjen e barrikadave

“Presidenti Aleksandar Vuçiq pati një bisedë serioze dhe të vështirë për më shumë se dy orë, në fakt vazhdim i bisedës me serbët nga veriu i Kosovës dhe me shtabin e krizës, por tani këtu në Beograd, ai prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. Tregoi, për gjithçka që po marrim dhe luti njerëzit tanë, serbët që të tërhiqen nga barrikadat. Serbët e dëgjuan presidentin Aleksandër Vuçiq dhe disa herë gjatë bisedës përsëriten se ata vetëm atij i besojnë, se nuk i besojnë asgjë Albin Kurtit… Për t’iu paraqitur të gjitha që tha presidenti Aleksandar Vuçiq, për t’ju paraqitur përmbajtjen e këtyre deklaratave zyrtare dhe më pas serbët do të nisen në drejtim të Serbisë qendrore, ku ata diku atje pas orës 19:00 do të takohen me presidentin Aleksandar Vuçiq ku do të diskutojë për të gjitha këto dhe pas kësaj do të shohim se cili është vendimi i popullit serb në veri të Kosovës kur bëhet fjalë për tërheqjen nga barrikadat”, ka thënë Petkoviq.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, thanë sot se kanë marrë garanci nga autoritetet në Kosovë se nuk ka lista me emrat e serbëve që do të arrestohen apo përndiqen që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

Arrestimi i Dejan Pantiqit nxiti serbët lokalë të bllokonin rrugët në veri. Për shkak të barrikadave të vendosura, që nga 10 dhjetori, dy pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – janë të mbyllura.

Më 27 dhjetor, për shkak të barrikadave të vendosura në territorin e Serbisë, u mbyll edhe pika tjetër kufitare, ajo e Merdares. Për vendosjen e barrikadave, Kosova ka fajësuar grupet kriminale që mbështeten nga Serbia.   /TV Arbëria