Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Rajoni > Vuçiq: Gabimi më i madh i Perëndimit, dërgimi i tankeve për Ukrainën

Vuçiq: Gabimi më i madh i Perëndimit, dërgimi i tankeve për Ukrainën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se gabimi më i madh politik i Perëndimit ishte vendimi për dërgimin e tankeve në Ukrainë, “veçanërisht tankeve gjermane”.

Sipas tij, me këtë vendim, Perëndimi e bashkoi popullin rus si askush më herët në qëndrimin e tyre ndaj luftës në Ukrainë.

Kështu tha Vuçiq gjatë seancës së 3 shkurtit në Kuvendin e Serbisë, ku pritet të miratohet raporti i Qeverisë serbe lidhur me dialogun me Kosovën.

Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere.

Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.

Gjatë seancës, Vuçiq tha gjithashtu se e respekton Rusinë, por nuk i shërben asaj.

“Unë e respektoj Rusinë, por nuk i shërbej Rusisë, i shërbej Serbisë”, tha Vuçiq.

Serbia, aleate e Rusisë, ka refuzuar që t’i bashkohet shteteve perëndimore dhe Bashkimit Evropian, për t’i vendosur sanksione Moskës, për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se respektojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./TV Arbëria

Themes by WordPress