Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të hënë në fshatin Stanoc të Vushtrrisë, ku një grua është vrarë dhe autori i dyshuar ka kryer vetëvrasje.
Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka deklaruar se dorasi është një 58-vjeçar me inicialet A.M, ndërsa gruaja që është vrarë një 42-vjeçare me inicialet N.H.
“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten”, kishte deklaruar Zahiti.
Derisa në vendin e ngjarjes ishtë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.
Ngjarjet tragjike të dhunës dhe vrasjes së grave vazhdojnë të ngjallin reagime të forta dhe shqetësime për nivelin e mbrojtjes që ofrohet për të drejtat e grave, ku është ngritur shqetësim i madh për efektivitetin e ligjeve dhe institucioneve përgjegjëse për sigurinë e grave.
Rritja e këtyre rasteve ka shpërfaqur një problem të thellë social, ku dhuna ndaj grave shpesh mbetet e padëshmuar dhe e papunuar në mënyrë të duhur, duke i lënë viktimat pa mbrojtje të mjaftueshme.
Nga viti 2010 deri në vitin 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra. Në shumicën dërrmuese të rasteve, vrasjet janë kryer nga partnerët intimë, ish-partnerët apo anëtarë të familjes.
QIKA përmes një reagimi ka kërkuar me urgjencë nga institucionet e Kosovës që të trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave me seriozitet e prioritet, të ndalin këtë zinxhir të dhunës sistemike dhe të fokusohen tek parandalimi i dhunës dhe vrasjes së grave.
“Këto nuk janë thjesht statistika. Janë jetë të humbura të grave që shpesh kanë kaluar nëpër një histori të dhunës së vazhdueshme, të shumëfishtë dhe të injoruar. Derisa dhuna me bazë gjinore në Kosovë vazhdon të trajtohet si çështje private dhe derisa lufta kundër saj nuk merr prioritet institucional, çdo viktimë e femicidit është pasojë direkte e këtij dështimi shoqëror dhe institucional”, thuhet në reagimin e tyre.
Vitet më tragjike kanë qenë 2018 dhe 2020, kur u regjistruan nga 7 viktima, ndërsa vitet tjera shënojnë luhatje, me një rënie të lehtë në vitet e fundit, por me një prani të vazhdueshme të rasteve.
Derisa edhe Rrjeti i Grave të Kosovës është shprehur thellësisht i shqetësuar për vrasjen e gruas në Vushtrri.
“Kjo tragjedi tregon edhe një herë se gratë nuk janë të sigurta dhe se kjo pasiguri ndaj tyre vazhdon t’ua marrë jetën. Kërkojmë me ngulm që institucionet të veprojnë menjëherë dhe të sigurojnë mbrojtje maksimale për gratë në Kosovë”, ka thënë kjo organizatë përmes një postimi në Facebook.
Kjo situatë tregon nevojën urgjente për masa më të forta institucionale për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave të rrezikuara.
Radio Evropa e Lirë ka marrë informacione se deri ku kanë mbërritur procedurat gjyqësore për disa raste të grave të vrara në Kosovë, viteve të fundit:
- Diana Kastrati, e vrarë në vitin 2011
I dyshuar për vrasje është ish-bashkëshorti i saj, i cili ndodhet në arrati.
Sipas IKD-së, i dyshuari A.J. gjendet në Spanjë, vend me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Për rastin vazhdon një proces i gjatë gjyqësor, pasi Gjykata Kushtetuese vërtetoi se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për moslëshimin e urdhrit mbrojtës, të cilin e ndjera e kishte kërkuar përpara se të vritej.
Prindërit e Diana Kastratit paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore dhe Republikën e Kosovës dhe kërkuan kompensim për vrasjen.
- Antigona Morina, e vdekur në vitin 2011
Morina vdiq nga hemorragjia e vazhdueshme, tri ditë pasi u martua, derisa bashkëshorti, sipas konstatimeve të drejtësisë, nuk i ofroi ndihmë mjekësore.
Gjykata Themelore në Gjakovë në dhjetor të vitit të kaluar konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se i pandehuri H.Z. u dënua me dy vjet burgim për veprën penale: shkelje e detyrimeve familjare.
Organizatat që merren me të drejtat e grave, e fusin Morinën në listën e grave të vrara në Kosovë.
- Zejnepe Berisha, e vrarë në vitin 2015
I dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj N.B.
Sipas IKD-së, Gjykata Themelore në Prizren e dënoi atë me 12 vjet e gjashtë muaj burgim në prill të vitit 2017.
N.B. akuzohej se, për arsye xhelozie, e vrau bashkëshorten e tij duke e therur 21 herë me thikë.
Pas kalimit të rastit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e rriti dënimin e tij në 17 vjet burgim.
- Donjeta Pajazitaj, e vrarë në vitin 2015
I dënuar për vrasje ishte kushëriri i saj N.P.
Sipas aktakuzës, N.P. “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” vrau Pajazitajn, duke shtënë me armë zjarri dy herë në kokë.
Gjykata Themelore në Pejë, fillimisht, e liroi të pandehurin nga aktakuza.
Pas dërgimit të rastit në rigjykim, ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Por, pas shqyrtimit të ankesës nga pala mbrojtëse, Gjykata e Apelit mori vendim që ta ulë dënimin në 35 vjet burgim.
Rasti vazhdoi në Gjykatën Supreme.
Kolegji penal i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 6 prill 2023, e liroi N.P., nga aktakuza për vrasje.
Pas kësaj, ai është liruar nga burgu.
- Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, të vrara në vitin 2018
I dënuar për vrasjen e tyreështë bashkëshorti, përkatësisht babai P.N.
Ai, fillimisht, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas dënimi iu zvogëlua në 30 vjet burgim.
Sipas një deklarate të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dërguar Radios Evropa e Lirë, dënimi iu ul pas ankesave të palës mbrojtëse, në dhjetor të vitit 2020. Në dënimin prej 30 vjetësh i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej gushtit të vitit 2018.
- Armenda Aliu, e vrarë në vitin 2019
I dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj .V
Gjykata Themelore në Prizren konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se atij, fillimisht, i është shqiptuar dënim i përjetshëm.
Por, pas ankesës së palës mbrojtëse, Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2022, i shqiptoi dënimin prej 25 vjetësh burgim.
- Sabile Mavrovqani, e vrarë në vitin 2020
I dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj N.M.
Pas dënimit fillestar me burgim të përjetshëm, rasti u kthye në rigjykim. Pas këtij procesi, ai u dënua me 25 vjet burgim.
- Sebahate Morina Sopi, e vrarë në vitin 2021
I dyshuar për vrasje është bashkëshorti L.S., i cili më pas u vetëvra.
- Marigona Osmani, e vrarë në vitin 2021
Të dënuar për vrasje janë: partneri i saj D.K. dhe shoku i tij A.S.
D.K është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa A.S. me 15 vjet burgim.
- Lirie Qerimaj, e vrarë në vitin 2022
Fajtor për vrasje është bashkëshorti i saj S.Q.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, në maj të vitit 2022, ngriti aktakuzë kundër tij në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe se ai u shpall fajtor për vrasje. Detaje të tjera nuk u dhanë.
IKD-ja raportoi në muajin shtator të vitit 2022 se S.Q. u dënua me 24 vjet burgim.
- Sadije Godeni, e vrarë në vitin 2022
I vetëdorëzuar për vrasje është bashkëshorti i saj I.G.
Më 30 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G për veprën penale “vrasje e rëndë”.
I.G. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 vjetësh.
I dyshuar për vrasjeështë bashkëshorti i saj S.H. Më 2 dhjetor, dy ditë pas krimit, autoritetet njoftuan se ai ka vrarë veten.