Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vrasja në Prizren, Bytyqi: Pronari i lokalit të natës po intervistohet nga policia

Vrasja në Prizren, Bytyqi: Pronari i lokalit të natës po intervistohet nga policia

Policia e Kosovës në Prizren ka konfirmuar se Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra” është shoqëruar në stacionin policor dhe po intervistohet nga policia për incidentin me armë zjarri që ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në lokalin “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Ai dhe disa të tjerë po dyshohen për vrasjen e një 31-vjeçari dhe plagosjen e një 27-vjeçari tjetër nga Shqipëria.

Togeri Shaqir Bytyqi nga Policia e Kosovës në Prizren ka konfirmuar  se aktualisht po intervistohen rreth 5 persona, dhe siç theksoi ai ende nuk ka urdhër të prokurorit për ndalimin e tyre.

Bytyqi pranoi se ndër të arrestuarit është edhe pronari i lokalit “Kobra city”.

Bytyqi: I arrestuar është edhe pronari i lokalit “Kobra city”

“Deri më tani rreth pesë persona janë në stacionin policor duke u intervistuar si dëshmitar edhe si të dyshuar për rastin që ka ndodhur. Policia është duke mbledhur prova dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes. Ende nuk ka vendim të prokurorit për ndalimin e tyre, por aktualisht jemi duke i intervistuar. Hetimet ende janë duke vazhduar për incidentin me armë zjarri në lokalin “Kobra city” dhe ka dyshime që vrasja ka ndodhur. Ndër të arrestuarit është edhe pronari i lokalit”, theksoi Byryqi.

Sipas njoftimit të policisë, një 31-vjeçar nga Shqipëria ka vdekur rrugës për në Spitalin Rajonal të Kukësit në mëngjesin e së martës, pas plagosjes në Prizren.

Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, V.C., bashkë me R.Sh. (të dy shtetas të Shqipërisë) dyshohet se ishin plagosur në dalje të Prizrenit, pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas të Kosovës.

“Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjeç, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A. B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftim të Policisë së Shtetit.

Bëhet e ditur se dyshohet se në momentin kur të tre po largoheshin me veturë, D.H. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të veturës së tyre.

“Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovarë. Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, thuhet po aty.

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se grupi hetimor vijon veprimet procedurale dhe se ka njoftuar Policinë e Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.   /TV Arbëria