Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, u shpreh se po kryhen procedurat për ekstradimin e shpejtë nga Greqia të Gerald Shehut, autorit të vrasjes së Eraldo Nevruzit në Dhërmi.
Rrumbullaku theksoi se policia ka dokumentuar me fakte dhe prova vrasjen.
“Më lejoni të falenderoj strukturat e Policisë së Shtetit, të angazhuara për dokumentimin, zbardhjen e vrasjes së ndodhur në Dhërmi. Në këtë aspekt, kemi pasur një koordinim shumë të mirë, edhe falë bashkëpunimit të mirë që kemi me partnerët grekë. Jemi në procedurat e ekstradimit të shpejtë të personit. Kemi dokumentuar me prova ligjore dhe shkencore gjithçka që ka të bëjë me ato mekanizma. Po shkojmë drejt finalizimit”, theksoi Rrumbullaku, shkruan A2Cnn.