Psikiatri Ajet Bunjaku në cilësinë e ekspertit, të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka deklaruar se i akuzuari Fiton Musliu nuk ka pasur tronditje mendore në ditën kritike kur ka ndodhur vrasja.
Një deklarim të tillë, eksperti Ajet Bunjaku e bëri pasi kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj e pyeti se a ka ndikuar gjendja e jashtëzakonshme psikike e të pandehurit Fiton Musliu që i njëjti të ketë tronditje të fortë mendore.
“Në rastin konkret jo”, u përgjigj eksperti Bunjaku.
Në këtë rast, të akuzuarit Shukri dhe Rexhep Rexhepi në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, kurse Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë.
I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Ali Kutllovci, eksperti tha se rasti konkret ka qenë gjendje e jashtëzakonshme psikike për të pandehurin Musliu shkaku i të shtënave dhe ngjarjes që ka parë.
Por, sipas tij, në qoftë se veprimi kishte ndodhur në atë moment dhe në qoftë se i pandehuri e kishte pasur armën me vete atëherë ishte diskutuar tronditja, por sipas tij veprimi ka shkuar në etapa dhe kjo e eliminon tronditjen mendore.
Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha tha se nuk pajtohet me mendimin dhe konstatimin e ekspertëve në ekspertizë pasi sipas tij, ekspertët nuk e kanë kuptuar kërkesën e mbrojtjes që të konstatohet tronditja mendore e të pandehurit Musliu.
Tutje, avokati Rexha pasi sqaroi se i pandehuri Musliu ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, dhe e ka parë Shukri Rexhepin duke dalë me automatik në dorë nga automjeti, në afërsi, dhe duke shtënë me automatik në tani të ndjerin B.M, të cilin e godet dhe e privon nga jeta.
“Pasi e tërë kjo ngjarje është zhvilluar në prezencë të të akuzuarit Musliu, i njëjti shkon në shtëpinë e tij e merr pushkën e gjuetisë dhe kur është kthyer në vendin e ngjarjes shtënë në drejtim të Shukri Rexhepit”, tha Rexhaj, duke e pyetur ekspertin se në këtë situatë a ka ekzistuar tronditje e fortë mendore për akuzuarin apo çdo gjë ju ka nënshtruar normalitetit.
Lidhur me këtë, eksperti u përgjigj se në ekspertizën psikiatrike si komision vlerësues kanë konstatuar se Fiton Musliu në ditën kritike nuk ka pasur tronditje të fortë mendor, dhe ky konstatim ka ardhë duke e bërë intervistimin e të pandehurit Musliu, duke analizuar shkresat e lëndës në dispozicion dhe duke analizuar literaturën dhe raste të ngjashme, dhe bazuar në përvojën e tyrë në këtë fushë.