Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari flet për periudhën kur të akuzuarit e kishin dërguar veturën për rregullim tek ai

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari flet për periudhën kur të akuzuarit e kishin dërguar veturën për rregullim tek ai

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, dëshmitari Ndue Mehmeti sqaroi se rreth 20-21 nëntorit 2021, të akuzuarit e kishin dërguar veturën tek ai për ta rregulluar dhe e kishin marrë në fillim të muajit tjetër.

Këtë deklarim, Mehmeti e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, rast që ka ndodhur më 26 nëntor 2021, po akuzohen Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Ndue Mehmeti, i cili posedon garazh për ngjyrosjen e veturave në fshatin Brekoc, tha që vetura e të akuzuarve “Toyota Jeep”, kishte qenë në rregullim tek ai. Sipas tij, Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, kishin dërguar vetura tek ai vazhdimisht.

Ai tha se veturën “Toyota Jeep”, e kishin dërguar i akuzuari Halil me njërin djalë por që nuk i kujtohej se cili, rreth datës 20- 21 nëntor të vitit 2021. Ndërsa, datat kur kishin mundur ta merrnin veturën, tha se kanë qenë nga 1-2 dhejtori deri më 4 dhjetor të atij viti.

Ndue Mehmeti tregoi se kishte dhënë deklaratë në Polici dhe se për korrektësi ua kishte ofruar hetuesve policorë mesazhet e telefonit, ku kishin biseduar djali i tij me njërin nga të akuzuarit, lidhur me atë veturë.

Më pas, dëshmitari shtoi se u kishte thënë hetuesve se i posedon edhe kamerat nga garazhi i tij, mirëpo ata i kishin thënë se nuk iu nevojiten.

“I kam thënë qe telefoni i djalit që ka shkru me djalë të Halilit, me data edhe ju kam thanë se i kam kamerat, sa janë ruajt nuk e di, mirëpo ju merrni e zbërtheni për shkak të korrektësisë. Jo tha për sms nuk ka nevojë, kurse për kamera tha se nuk jemi ekspertë për me i nxjerrë shënimet në kohë, është një periudhë e gjatë, tha se nuk mund të nxjerrim”, shtoi dëshmitari Mehmeti.

Sipas tij, kur kishin shkuar ta merrnin veturën, kishin qenë tre persona, njëri prej tyre djali i Halilit, e gjithashtu edhe një nip i tyre, së bashku me dhëndrin e tij.

Kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska, e pyeti dëshmitarin se a kishte ndodhur ndërkohë që familja e Halilit ta kishte marrë veturën për të kryer ndonjë shërbim, e Mehmeti tha se kjo nuk ka ndodhur dhe se për këtë jep përgjegjësi.

Paraprakisht, është dëgjuar edhe dëshmitari Agim Dodaj, i cili deklaroi se të akuzuarin Halili e ka dajë. Tha se me të akuzuarin Kreshnik shumë herë kishin dalë në bjeshkët e Shtedimit, mirëpo theksoi se me data nuk e di saktë.

Lidhur me një video-incizim, ku shihej se në ato bjeshkë i akuzuari Kreshnik kishte gjuajtur me armë, tha se aty kishin qenë me vëllezërit e tij dhe kushërinj të tjerë, e që kishte pasur shumë turistë.

Ai pohoi që në atë incizim siç edhe shihet, Kreshniku kishte përdorur armë. Kurse, për ngjarjen në Gllogjan, tha se kishte dëgjuar përmes rrjeteve sociale atë natë që kishte ndodhur rasti.

Ditën kritike, tha se fillimisht kishte qenë në shtëpi, ndërsa më pas e kishte telefonuar tani i akuzuari Kreshnik, për ta marrë në shtëpi dhe shtoi se kishin shkuar në një dyqan në Deçan, rreth orës 14:00.

“Dua të ceki se në deklaratën e parë që e kam dhënë në Gjakovë, nuk m’u ka kujtu se me kënd kam shku te shpia”, tha dëshmitari Dodaj.

Më pas, ai tha se me të akuzuarin Kreshnik, ishin zgjuar nga aty dhe kanë shkuar në shtëpinë e të akuzuarve, duke e lënë atë në shtëpi. Tha se orën nuk e di saktë, mirëpo ishte mbrëmje.Më tutje, dëshmitari Dodaj tha se të akuzuarin tjetër Kastriot, e kishte parë në shtëpi duke punuar në traktor.

“Atë ditë kur e kam kthy Kreshnikun, i kam thënë Policisë në deklaratën në Gjakovë, se nuk e kam kthyer unë, se nuk m’u ka kujtuar, pas asaj deklarate që e kam dhënë vetëm për kthimin e Kreshnikut tek shtëpia. Asaj deklarate që e kam thënë nuk i qëndroj mprapa, por, i qëndroj kësaj se sot çka them”, tha Dodaj.

Ai më herët kshte deklaruar se armën me të cilën i akuzuari Kreshnik shihet në video-incizim duke gjuajtur, ia kishte marrë turistëve, ndërsa në Polici kishte thënë se nuk e di e kujt është ajo armë.

“Për dije teme kam thënë se është e turistëve, sipas mendimit tem kam thënë kështu edhe në Polici”, shtoi Dodaj.

Më pas, u tha se në hetuesi ai kishte thënë që Kreshnikun e kishte lënë me 4-5 shokë në dyqan.

“Pasi që unë kam dalë nga lokali dhe ata kanë mbet aty, nuk e di se nga kanë shkuar Kreshniki dhe të tjerët aty”, kishte thënë dëshmitari në Polici.

“Kam shku me marrë, kur kam dashtë me kry ndejën aty, e kam vetë Kreshnikun, a don me ardhë se du me shku. Ai ka thënë shko ti se po du me ndejt hala se vi me këta, më pas unë jam dalë nga lokali dhe nuk e di se me kënd është kthy Kreshniku”, pohoi të ketë deklaruar dëshmitari Dodaj.

Dëshmtiari tha se kishte qenë me herët që t’i takonte të akuzuarit në burg. Tha se i kishte vizituar të akuzuarit Kreshnik dhe Halil Mehmetaj.

Pasi që nuk kishte dëshmitarë tjerë prezentë, seanca u ndërpre për të vazhduar sipas agjendës një ditë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

Powered by WordPress