Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vrasja e trefishtë në Gllogjan, bashkëshortja e njërit të akuzuar: Më ka thënë se ka qenë në shtëpi, sa e di s’ka dalë nga shtëpia

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, bashkëshortja e njërit të akuzuar: Më ka thënë se ka qenë në shtëpi, sa e di s’ka dalë nga shtëpia

Bashkëshortja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, I.B., tha se natën kritike të 21 nëntorit 2021 kishte shkuar tek familja e saj, por me sa e di, bashkëshorti i saj atë natë nuk kishte dalë nga shtëpia.

 

Këtë deklarim, dëshmitarja I.B., e dha të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku për vrasjen e trefishtë në Gllogjan po akuzohen Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj.

 

Dëshmitarja I.B., tha se lidhur me ngjarjen e sulmit të nxënësve dhe shoferit të autobusit në Gllogjan, kishte dëgjuar, por që nuk kishte shumë njohuri.

“Më kujtohet atë ditë kam qenë në punë paradite, edhe ka ardhë Kastritoti më ka marrë prej punës, në ora 16:00, pas përfundimit të orarit, me veturë”, tha dëshmitarja.

Ajo tha se pas përfundimit të orarit të punës, e kishte kuptuar se i ka dy ditë pushim dhe gjatë rrugës i kishte treguar bashkëshortit dhe se i kishte kërkuar që ta dërgonte tek familja e saj.

“Dhe më ka dërgu tek familja jeme, por gjatë rrugës e kam thirrë vëllaun se kerri ka qenë pa regjistrim dhe u dalë vëllau më ka marrë në fshatin Raushiq”, shtoi dëshmitarja.

I.B., tha se kur janë nisur nga Gllogjani, ka mundur të jetë ora 16:30 dhe se bashkëshorti i saj e kishte lajmëruar me të arritur në shtëpi.

“Kena fol në vazhdimësi me Kastriotin, nuk ka pasur diçka specifike por si zakonisht. Ai më ka thënë se ka qenë në shtëpi, sa e di unë ai nuk ka dalë nga shtëpia”, tha dëshmitarja duke folur për natën kritike.

Më pas, për rastin e sulmit në Gllogjan, tha se kishte dëgjuar nga rrjetet sociale atë natë, mirëpo me bashkëshortin (të akuzuarin Kastriot) nuk e kishin biseduar këtë gjë.

Meqenëse në këtë seancë nuk kishte tjetër dëshmitar prezent të propozuar nga ana e mbrojtjes, seanca u ndërpre dhe e radhës u caktua për një datë tjetër.

Paraprakisht, mbrojtësja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, avokatja Kosovare Kelmendi, me kërkesën e të mbrojturit të saj, propozoi që seanca të jetë e mbyllur gjatë deklarimit të bashkëshortes së Kastriotit, pasi që nuk dëshironte të jetë publike për opinion të gjerë dhe të ekspozohej bashkëshortja e tij.

Mirëpo, një propozim i tillë u refuzua nga ana e kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaska.

Ndryshe, në fillim të seacnës, gjyqtari Përlaska bëri të ditur se përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, për seancën e sotme kishte qenë i ftuar eksperti Nikolin Duraj, mirëpo kërkesa e kësaj gjykate përmes Ministrisë së Drejtësisë, drejtuar institucioneve të Shqipërisë për dërgimin e thirrjes së ekspertit nuk është realizuar, si rrjedhojë eksperti nuk prezantoi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

 

 

Powered by WordPress