SHKRUAN: ARDITA SHKODRA
Në Kosovë përmenden vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, por nuk përmenden vrasjet e ushtarëve të UÇK-së. Pas luftës, numri pothuajse është i njëjtë.
Ashtu siç kam shkruar, do të vazhdoj të shkruaj për secilën prej tyre.
Sadik Musaj nuk është vrarë as në mënyrë të organizuar e as për çështje politike. Ai është vrarë nga Atdhe Bekaj, i cili ka mbajtur burg për këtë çështje dhe e ka pranuar veprën.
Sadik Musaj e kishte rrahur disa ditë para vrasjes Atdhe Bekajn. Pastaj ishin takuar përsëri, në mes të qytetit, ku kishte qindra njerëz. Aty nisi konflikti përsëri dhe Atdhe Bekaj e kishte qëlluar, duke e vrarë.
Dikujt i ka konvenuar që edhe vrasjet ordinere, edhe vrasjet për çështje morali, edhe vrasjet nga Serbia, t’ia faturojnë Thaçit për t’i humbur gjurmët dhe për ta ngritur veten politikisht.Tani do të flasim. Do të flasim shumë.
Kush ishte në fakt Sadik Musaj?
Sadik Musaj ishte një kriminel i tipit të Enver Sekiraqës. Ai udhëhiqte një grup që merrej me vrasje, dhunime, plaçkitje dhe keqtrajtime.
Sadik Musaj, i lindur më 1964, i ardhur në Zvicër si azilkërkues politik në vitin 1986, shumë shpejt u gjend prapa grilave (në burg) për dhunim, hajni dhe lëndime trupore, para se të lirohej më 1991.
Dy vjet më vonë, ai u gjend prapë para Gjykatës Kriminale në Payerne, i akuzuar për thyerje të një karrocerie të firmës “Broye”, së bashku me disa bashkatdhetarë të tij, dhe për vjedhje të një ferme të dy vëllezërve fermerë në Kantonin e Bernit.
Për kërcënim me armë zjarri dhe me kaçavida, për terrorizimin e këtyre banorëve, për rrahjen e tyre me qykë revoleje dhe mbylljen e tyre në bodrum dhe në tualet, Sadiku u dënua me 10 vjet burg për gangsterizëm, vjedhje dhe dëmtim të pronës. Ai i mbajti tri vitet e para në Burgun e Orbes në Zvicër, siç e konfirmon Andre Valton, drejtor i burgjeve të Kantonit Vaud, e më pas u transferua në një burg të kantonit Zug.
Më 4 tetor 2000, Musajt e Strellcit e kanë therur me thika, duke e plagosur rëndë qytetarin Blerim Matoshi nga Peja në vendin e tij të punës. Më 8 prill 2000, vajza S. L., punëtore në barnatoren “Herbo Komerc” në Deçan, derisa ishte në vendin e punës, kërcënohet dhe rrihet brutalisht nga vëllezërit Musaj të Strellcit, të cilët tentojnë ta marrin me dhunë. Vajza e sulmuar e paraqet rastin në polici, por pas një kohe detyrohet ta tërheqë padinë nën presionin e Sadik Musajt. Më 18 korrik 2001, Sadik Musaj e merr me dhunë një femër të njohur me emrin Afërditë nga kafiteria “Las Pallmas” në Pejë, të cilën e dërgon në shtëpinë e pabanuar të Haki Povatajt në Strellc, ku, sipas pretendimeve, dhunohet gjatë tërë natës.
Më 5 tetor 2000, Musajt e kanë rrahur rëndë gjyqtarin për delikte të vrasjeve në Pejë.
Për veprimtarinë kriminale të Sadik Musajt, dëshmojnë edhe shkrimet e botuara në shtypin zviceran të kohës (vitet ’90) me titullin: “Banda e shqiptarëve dhunonte, vidhte dhe vriste, por gjithmonë natën”.
Besoni, kam në dorë edhe dhjetëra dokumente ku tregohet qartë se ai ishte një person mizor, i cili ka bërë zullum mbi qytetarët e Kosovës, por edhe botës.
Unë do të shkruaj, sepse populli është ushqyer mjaftueshëm me propagandë dhe ka ardhur koha ta mësojë të vërtetën.