Mbrëmë ka ndodhur një vrasje në Republikën e Serbisë, ku u privua nga jeta një polic serb dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, shkruan TV Arbëria.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e cila i përket Artan Hajrizit qytetarit nga Kosova i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Autoritetet serbe, më saktësisht Ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq konstaton se po përcaktohet nëse autori i krimit të tmerrshëm në Loznicë është shqiptari Artan Hajrizi.
Personi i cili fillimisht ka qenë i dyshuar për vrasjen e policit serb, Artan Hajrizi dyshohet se është vëllai i Faton Hajrizit, së fundmi i arrestuar nga burgu i Kosovës.
Tutje, në një deklaratë për ‘Nacionale’ ka folur babai i Artan Hajrizit i cili ka thënë se Faton Hajrizi ia ka vjedhur dokumentet dhe pasaportën të vëllait të lartcekur, poashtu Artan Hajrizi në një deklaratë për Gazetën ‘Insajderi’ ka dhënë po të njëjtën deklaratë teksa ka thënë se dokumentete dhe pasaportën ia ka marrë vëllai i tij, Faton Hajrizi.
Ndër tjera, Artan Haziri sot ka qenë prezent në Policinë Gjermane, duke u shfajsuar për rastin.
Në bazë të këtyre raportimeve tashmë dyshohet se Faton Hajrizi është i dyshuari kryesor për privimin e jetës së një polici zyrtar të Serbisë dhe plagosjen e një tjerti.
Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ku është pyetur rreth rrezikimit nga qytetarët serb ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës pas këtij rasti.
Sipas vlerësimit të ekspertit të sigurisë, ai konstaton se në bazë të këtij veprimi autoritetet serbe mund të shfrytëzojnë për ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët shfrytëzojnë territorin e Serbisë për të kaluar.
“Në fakt ky rast mund të shfrytëzohet nga autoritetet e Serbisë fillimisht për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët eventualisht mund të shfrytëzojnë Serbinë si territor për të kaluar, dhe më pas gjithashtu mund të ngriten shqetësimet në lidhje me nxitjen e urrejtjes dhe poashtu për të ngritur nivelin patriotik në Serbi”, është shprehur ai.
Elezi thekson se tanimë Serbia mund të shfrytëzojë këtë rast për nxitjen e urrejtjes mes dy popujve, teksa shtoi se ky fakt do t’u shërbejë edhe grupeve kriminale terroriste serbe të cilët kishin tentuar të ushtrojnë aktivitete të dhunshme në Banjskë të Mitrovicës në vitin e kaluar.
“Unë pres se në Serbi do të kemi probleme serioze, dhe se Serbia tani mund të shfrytëzojë këtë rast për nxitjen e urrejtjes mes dy popujve dhe kështuqë të nxiten qytetarët e Serbisë për urrejtje dhe të ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, ky fakt do t’u shërbejë edhe grupeve kriminale terroriste serbe të cilat kishin tentuar të ushtrojnë aktivitete të dhunshme në Banjskë të Mitrovicës në vitin e kaluar“, tha ai.
Ndër tjera, ai thotë se ky veprim mund të shfrytëzohet për t’i bindur qytetarët serb se shqiptarët janë të rrezikshëm.
“Gjithashtu mund të shfrytëzohet për rekrutim të mëtutjeshëm dhe për të bindur qytetarët serb se shqiptarët janë të rrezikshëm dhe të njëjtit mund të jenë rrezik permanent në të ardhmen për serbët. Kështuqë, në këtë formë do të ketë rrezik që serbët tanimë të bëjnë veprime organizative me qëllim të dhunës ndaj qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe hyrjen në katër komunat me shumicë serbe në Veriun e Mitrovicës dhe kështu të organizojnë aktivitete të dhunshme për privimin nga lëvizja e lirë apo edhe nga rreziku me jetën e qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi Elezi.
Sipas vlerësimit të ekspertit të sigurisë, qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i shmangen kalimit nga territori i Serbisë, sepse rreziku është serioz që serbët të organizojnë hakmarrje.
“Pas këtij rasti unë mendoj se çdo qytetarë i Republikës së Kosovës lëvizjes nëpër Serbi duhet t’i shmanget sepse ekziston rreziku serioz që serbët të organizojnë hakmarrje kështu edhe duke u shfaqur dhunë apo duke privuar nga jeta qytetarët të cilët evetualisht mund të ndodhen brenda territorit të Republikës së Serbisë”, përfundoi Elezi për TV Arbëria.