Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vrasja e Oliver Ivanoviqit, flasin para Gjykatës ish-policët që kishin shkuar në vendngjarjes

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, flasin para Gjykatës ish-policët që kishin shkuar në vendngjarjes

Në gjykimin për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, dy ish-policët e Njësisë Regjionale të Mitrovicës, Mirsada Mustafa dhe Jugosllav Bugovac, kanë thënë se kur kishin dalë në vendin e ngjarjes, vendi ishte i siguruar me shirita të policisë dhe policë.

Këto deklarime, Mustafa dhe Bugovac i dhanë në seancën e së enjtes, të cilët u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve, të propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Spapojeviq, avokati Faruk Korenica.

Mustafa deklaroi se në vendin e ngjarjes nuk kanë kaluar as qytetarë në këmbë e as vetura që do të mund t’i dëmtonin provat në vendin e ngjarjes.

“Absolutisht jo, rruga ka qenë komplet e bllokuar dhe nuk ka pasur qasje përveç personave zyrtarë që kanë qenë me rroba civile, por ka pasur edhe me uniformë, them dhe vërtetoj për kohën kur unë kam qenë në vendin e ngjarjes”, tha Mustafa.

Edhe dëshmitari Bugovac tha se vendi ka qenë i siguruar dhe nuk ka pasur kalim të veturave.

“Shumë i sigurt jam që jo, dua t’ju them se unë në ato momente nuk kam qenë i obliguar në sigurimin e vendin të ngjarjes, ndërsa vendi i ngjarjes ka qenë i siguruar me shiritin e policisë, kanë qenë prezent policë dhe nga ana tjetër policë të uniformuar, d.m.th. nuk ka pasur kalim te veturave dhe të njerëzve”, ka thënë Bugovac.