Shkruan: Bahri Beqiri
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në qershor të vitit 2022, në afërsi të fshatit Vërmicë, ku sipas Prokurorisë, viktimë mbeti shtetasi irakian J.H. Hetimet kanë zbuluar se vrasja ishte pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurit dhe viktimës, që lidhej me kontrabandimin e shtetasve sirianë në territorin e Kosovës. I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit që nga tetori i vitit 2024. Ky rast, tashmë i dërguar në gjykatë, hedh dritë mbi një nga problematikat më serioze dhe më pak të adresuara në Kosovë: krimi ndërkufitar dhe pasojat që ai ka për sigurinë publike dhe integritetin institucional të shtetit.
Ngjarja në Vërmicë nuk është një incident i izoluar. Ajo pasqyron një realitet që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm përdorimi i kufijve të Kosovës si korridore për kalime të paligjshme të emigrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Këto flukse jo vetëm që e ekspozojnë vendin ndaj krizave humanitare dhe sfidave të menaxhimit, por gjithashtu krijojnë terren për përfshirjen e elementeve kriminale, përfshirë grupet që trafikojnë njerëz dhe që, si në rastin e përmendur, përfshihen edhe në vepra të rënda penale si vrasja.
Kosova aktualisht nuk ka një strukturë të centralizuar, të specializuar dhe të koordinuar që të merret me menaxhimin e sigurisë kufitare dhe emigracionit ilegal. Kompetencat janë të shpërndara ndërmjet Policisë së Kosovës, Doganës, Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, pra, pa një trup koordinues me mandat të qartë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ky fragmentim institucional jo vetëm që e dobëson efikasitetin e reagimit, por krijon edhe hapësirë për shmangie përgjegjësie në situata ku duhej vepruar me kohë dhe me vendosmëri.
Përballë këtyre sfidave, përvoja ndërkombëtare ofron modele që duhet të studiohen me serioz. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, njoftoi krijimin e një ministrie të re për luftimin e emigracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar. Ky hap shënon një përqasje moderne dhe strategjike ndaj një problemi që tashmë ka pasoja të drejtpërdrejta mbi sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Një strukturë e tillë nuk është vetëm administrative, ajo përfaqëson vendosjen e një prioriteti të qartë në agjendën shtetërore: mbrojtjen e qytetarëve dhe forcimin e kufijve.
Në kontekstin tonë kosovar, nevoja për një agjenci apo njësi të specializuar për sigurinë kufitare dhe emigracionin nuk është më opsion, por domosdoshmëri. Një trup i tillë duhet të ketë mandatin për të koordinuar politikat ndërinstitucionale, për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, për të zhvilluar kapacitete teknike për mbikëqyrje dhe parandalim, dhe mbi të gjitha, për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të krizave në rast të flukseve të papritura migratore.
Rasti i Vërmicës është një thirrje alarmi për institucionet kosovare që të mos e trajtojnë më sigurinë kufitare si çështje të dytësore. Vrasja e një emigranti në rrethana të lidhura me kontrabandimin e njerëzve është më shumë sesa një rast penal: është një dështim i qartë i politikave të sigurisë dhe i mungesës së strukturave të përshtatshme për ta parandaluar atë. Për më tepër, është një rrezik që prek jo vetëm emigrantët, por edhe komunitetet lokale dhe vetë stabilitetin e shtetit.
Siguria publike nuk mund të jetë fragmentare. Ajo kërkon vizion, koordinim dhe guxim për të vepruar. Nëse nuk merren masa konkrete për riorganizimin e politikave të sigurisë dhe krijimin e strukturave funksionale, raste të tilla jo vetëm që do të përsëriten, por edhe do të zgjerojnë ndikimin negativ në shoqëri dhe në perceptimin e publikut ndaj kapacitetit të shtetit për të garantuar rend dhe drejtësi. Kosova nuk ka më kohë për të pritur. Ajo ka nevojë për vendimmarrje të guximshme, ashtu siç po bëjnë shtetet që kuptojnë se siguria nuk është luks, por themel i shtetësisë.