Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > ​Vrasja e Liridonës, aktivistët protestuan para Ambasadës së Kosovës në Tiranë

​Vrasja e Liridonës, aktivistët protestuan para Ambasadës së Kosovës në Tiranë

Dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan sot një marsh-protestë, për rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt në Sinidoll të Prishtinës.

Reagimet ata i bënë para Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë. Me pankarta në duar protestuesit kërkuan drejtësi, jo vetëm në rastin e Liridonës, por për çdo rast të dhunës ndaj gruas.

Aktivistja Xheni Karaj duke shprehur zemërimin për vrasjen e Liridonës, bëri thirrje që të ndalet dhuna ndaj grave.

Karaj: Të qëndrojmë të bashkuar

“Të qëndrojmë të bashkuar jo vetëm për të treguar zemërimin tonë ndaj vrasjes së Liridonës, por për të reflektuar dhe ulëritur thirrjen për ndryshim”, tha ajo.

Protesta u ndoq nga ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi i cili falënderoi aktivistët për ngritjen e zërit ndaj rastit dhe fenomenit të dhunës.

Durmishi: Thirrjet për drejtësi në rastin e vrasjes së Liridonës janë të drejta

“Ju falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast, i cili ka tronditur Kosovën. Në fakt, është e shtangur dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur. Jam mirënjohës dhe sigurisht thirrjet tuaja janë shumë me vend që kërkoni drejtësi për Liridonën dhe për çdo grua dhe rast të shkeljes së ligjit“, tha ai.

Liridona Ademaj u vra tri ditë më parë nga një ekzekutor që dyshohet të jetë paguar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili fillimisht e denoncoi ngjarjen si grabitje të armatosur.

Për ngjarjen, Murseli së bashku me dorasin Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, kanë dalë sot në seancën fillestare gjyqësore, ku ndaj tyre është caktuar nga një muaj paraburgim.

/TV Arbëria