Kina ka përsëritur të premten thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, një ditë pasi Izraeli deklaroi edhe vdekjen e Yahya Sinwar, liderit të grupit të Hamasit.
“Prioriteti i ngutshëm është arritja e menjëhershme e armëpushimit në Gaza, mbrojtja e civilëve, sigurimi i ndihmës humanitare dhe shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe konfrontimit”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning.
Ushtria izraelite pretendoi se trupi i Sinwar u zbulua pasi zona u kontrollua të enjten.Edhe pse ushtria nuk e specifikoi vendndodhjen e vdekjes së Sinwar, raportet e mediave izraelite deklaruan se operacioni u zhvillua në qytetin jugor të Rafah.
Raportet tregojnë se Sinwar, objektivi kryesor i Izraelit, u vra gjatë një konfrontimi në terren, ku ai ishte i veshur me një uniformë të plotë ushtarake, duke kundërshtuar pretendimet e mëparshme izraelite se ai ishte fshehur mes të burgosurve izraelitë në tunele për muaj të tërë në Rripin e Gazës.