Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vrasja e biznesmenit në Tiranë, bashkëshortja mendoi se u lëndua nga fishekzjarrët

Vrasja e biznesmenit në Tiranë, bashkëshortja mendoi se u lëndua nga fishekzjarrët

Policia e Tiranës po vijon hetimet për të zbuluar autorët dhe motivin e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi. Grupi hetimor është duke këqyrur kamerat e sigurisë, jo vetëm gjatë ditës së mërkurë kur ndodhi ngjarja, por edhe në ditët e mëparshme, për të parë ndonjë person të dyshimtë që mund të ketë vëzhguar lëvizjet e tij.

Nga këqyrja e tyre ka rezultuar se njëherazi që autori ka qëlluar me armë janë hedhur edhe fishekzjarrë në zonë. Ky fakt dyshohet nga grupi hetimor të ketë qenë kamuflim nga autorët. 52-vjeçari ndodhej në shesh pushimin e pallatit bashkë me gruan e tij duke pastruar ambientin, pasi pjesa më e madhe e bizneseve aty janë në pronësi të familjes Reçi. Pasi kanë hyrë në ndërtesë, për një moment, Eduart Reçi ka dalë i vetëm sërish në ambientet e jashtme ku dhe është qëlluar. Fillimisht bashkëshortja e tij ka dyshuar se ai ishte rrëzuar në tokë pasi mund të kishte marrë ndonjë mbetje nga fishekzjarrët, por mjekët më pas zbuluan se kishte plumb në kokë.

Policia nuk e ka ende të qartë se nga autorët kanë qëlluar apo tipin e armës së përdorur. Në vendngjarje është zbuluar vetëm një predhë që është çuar në laborator për ekspertim. Dyshohet se distanca nga është bërë qitja të jetë 20 apo 30 metra largësi.

Për të përfituar bisedat e fundit që kishte kryer Reçi, apo nëse dikush mund ta ketë nxjerrë atë në pritë, hetuesit kanë çuar për ekspertim celularin e tij. Si pistë kryesore hetuesit kanë ende konfliktet për pronësinë. Në 2015-ën Reçi ka bërë një kallëzim për probleme pronash, i cili më vonë është pushuar me vendim të prokurorisë.

Themes by WordPress