Mbrëmë në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt është qëlluar për vdekje 89-vjeçari Sadri Sadriu, i cili siç raportohet në media është axha i bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu. Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në media duke u thirrur në burimet e tyre, vrasja ndodhi nën dyshimet për “dhunimin” e dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës. Nacionale, raportoi se Prindon Sadriu dhe Vjosa Osmani ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.
Në një përgjigje me shkrim për portalin rtv21.tv shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, thotë se e gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje
Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”.
Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze. Kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, tha Kupina për rtv21.tv.
I dyshuar për vrasjen është polici Festim Ramadani. Vrasjen dyshohet se e ka kryer me armën zyrtare.
I njëjti është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Lidhur me rastin, IPK ka njoftuar më vonë se është arrestuar edhe një i dyshuar./21Media