Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Vrasja e 2024’ës në Zllakuqan, eksperti: Nuk mund të jap mendim se në çfarë pozite ka qenë i akuzuari kur ka shkaktuar plagën

Vrasja e 2024’ës në Zllakuqan, eksperti: Nuk mund të jap mendim se në çfarë pozite ka qenë i akuzuari kur ka shkaktuar plagën

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Skender Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., të mërkurën është dëgjuar në cilësi të ekspertit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Flamur Dylhasi, i cili tha se nuk mund të japë mendim se në çfarë pozite ishte i akuzuari kur ka shkaktuar plagën tek tani i ndjeri.

Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Lidhur me pozitën e viktimës dhe personit që ka shkaktuar plagën, nuk mund të jepet mendim për arsye se pozitat e personave janë në lëvizje dhe nuk mund të jepet mendim i mirëfillt dhe meritor”, tha eksperti Dylhasi.

Sipas ekspertit, arsyeja pse nuk mund të japë mendim është për faktin se personat kanë qenë vazhdimisht në lëvizje dhe se nuk mund të jepet mendim meritor dhe i mirëfilltë për atë se cila ishte pozita e të akuzuarit Krasniqi.

Më tej, Dylhasi tha se objekt pune kishte trupin e viktimës dhe se në raportin që ka dorëzuar përshkruhen vetëm plagët dhe karakteristikat tjera trupore, e që në rastin konkret tha se tani i ndjeri kishte shenja lëndimi në njëri gju të këmbës dhe në ballë.

Po ashtu, eksperti theksoi se nuk mund të japë mendim lidhur me atë se a ka qenë thika me dy teha, duke shtuar se në raport është konstatuar se plaga është shkaktuar si rezultat i mjetit të fortë prerës shpues.

Gjithashtu, ai tha se nuk mund të jepet mendim i mirëfillt dhe meritor nëse i viktima ka mundur të lëvizë pas shkaktimit të plagëve, pasi që sipas tij, nga praktikat edhe të vendve të tjera ka pasur rast që me plumb në zemër personi ka lëvizë deri 50 metra ose raste kur me një plagë të vetme nuk ka mundur të lëvizë fare.

Ndaj deklarimeve të ekspertit kishte vërejtje përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Mahmut Halimi, duke thënë se eksperti nuk u përgjigj në pyetje e tij dhe se bazuar në praktikat edhe të Kosovës por edhe jashtë, eksperti duhet të japë mendimin e tij bazuar në mjeksinë ligjore.

Kështu, avokati Halimi propozoi që të formohet komision i ri për hartimin e një ekspertize, propozim i cili u refuzua nga Gjykata, me arsyetimin se të dhënat në raport, si dhe sqarimet e ofruara nga eksperti në seancës janë të mjaftueshme.

Më pas, u bë administrimi i provave materiale që ishin të elaboruara si në aktakuzë, me një plotësim shtesë- dy fotografi që kanë qenë pjesë e shkresave të lëndës në procedurën tjetër për të miturin.

Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.