Një vrasës shqiptar që ka lutur autoritetet e burgjeve në Britani të Madhe për ta ekstraduar në Shqipëri për të vuajtur dënimin prej 32 vjetësh burgim.
Eugert Merizaj, 33-vjeçar, ishte dënuar për vrasjen e një dileri të drogës dhe do të ekstradohet në Shqipëri si pjesë e një transferi në vlerë prej 4 milionë funteve mes Britanisë dhe Shqipërisë.
Gazeta britanike “The Telegraph”, shkruan se Merizaj kishte përdorur TikTokun nga qelia e tij në burgun e Manchesterit për të treguar rreth kushteve të këqija në sistemin britanik të burgjeve.
“Ndoshta nuk do të kem telefon në burgun shqiptar, por e di se mund ta marrë një. Nuk e kam parë familjen që shtatë vjet. Flas me ta çdo ditë, por fizikisht nuk i kam takuar”, kishte thënë Merizaj.
“Ushqimi është i keq. Nuk mund të flasësh shqip, veç anglisht. Kurrë nuk i dihet, ndoshta do të jetë më keq në Shqipëri. Por arsyeja kryesore është familja. Kjo ka më së shumti rëndësi”, kishte thënë ai.
Merizaj ishte pjesë e bandës që joshi Hemawand Ali Hussein, diler të kanabisit, në një shtëpi në Hartlepool në vitin 2019, para se të vritej me pushe.
Merizaj nuk ndodhej në shtëpi në momentin e vrasjes, por ishte i përfshirë në planifikimin dhe sjelljen e armëve, përfshirë një sëpatë.
Një gjykatë në Fier e ka njohur vendimin e gjykatës britanike.
Ai tani do të mbahet në burgun e Peqinit, në të cilin vuajnë dënimet me burgim disa prej kriminelëve më famëkeq të Shqipërisë, përfshirë Dritan Dajtin dhe Aldo Baren, liderin e një organizate kriminale.
Marrëveshja mes Britanisë dhe Shqipërisë mundëson që rreth 200 kriminelë të burgosur shqiptarë në Britani, të transferohen në Shqipëri. Britania do të paguajë Shqipërinë 4 milionë funte.