Anders Behring Breivik, ekstremisti norvegjez që vrau 77 persona në vitin 2011, do të tentojë të hënën për herë të dytë që ta padisë shtetin e Norvegjisë mbi pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut, raporton agjencia “AP”.
Norvegjia favorizon rehabilitimin në vend të ndëshkimit dhe Breivik po mbahet në një kompleks dykatësh me një kuzhinë, dhomë ngrënie dhe dhomë me TV me një Xbox. Po ashtu ka disa kolltukë e foto bardh e zi të Kullës së Ajfellit. Ai po ashtu ka një sallë fitnesi, një trakë vrapimi e makinë kanotazhi.
Një kërkesë e ngjashme gjatë një rasti në vitin 2016 ishte pranuar, por më vonë u rrëzua nga gjykata më e lartë. Po ashtu u refuzua edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Breivik kërkoi lirim me kusht në vitin 2022, por u vlerësua se nuk ka treguar shenja se është rehabilituar.
Më 22 korrik të vitit 2011, Breivik vrau tetë persona në një sulm me bombë në Oslo përpara se të shkonte në një kamp të rinjve të një grupi politik të qendrës së majtë në ishullin Utoya, ku u vesh si polic, përndoqi dhe vrau 69 persona, kryesisht adoloshentë.
Ai nuk ka treguar pendim për sulmet e tij, të cilat i portretizoi si një kryqëzatë kundër multikulturalizmit në Norvegji.
Shteti hedh poshtë pretendimet e Breivikut. Në një letër drejtuar gjykatës, avokati qeveritar Andreas Hjetland, tha se Breivik deri më tash kishte treguar papranueshmëri ndaj punës rehabilituese dhe “është e vështirë të imagjinohet lehtësim i madh sa i përket dënimit”.
Gjyqi do të mbahet të hënën në burgun në Ringerike.