Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ​Von der Leyen në Kiev: Mirëpres vendimin e Zelenskyt për të shënuar Ditën e Evropës

​Von der Leyen në Kiev: Mirëpres vendimin e Zelenskyt për të shënuar Ditën e Evropës

Në Ditën e Evropës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen po qëndron sot në Kiev, ku do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kjo është vizita e pestë e Von der Leyen në ish-republikën sovjetike, që kur Rusia nisi pushtimin e plotë në Ukrainë në shkurt 2022.

“Sa mirë të jem sërish në Kiev. Aty ku vlerat që i mbajmë afër, mbrohen çdo ditë… Unë e mirëpres vendimin e presidentit Zelensky për ta shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës – edhe këtu në Ukrainë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Bashkimi Evropian feston më 9 maj paqen e qëndrueshme mes anëtarëve të tij që pasoi përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në 1945, ndërsa Rusia shënon fitoren e saj mbi Gjermaninë naziste me një paradë ushtarake vjetore.

Ukraina u emërua një vend zyrtar kandidat për anëtarësim në BE, vitin e kaluar dhe është në pritje të një vlerësimi nga komisioni nëse përpjekjet e saj për reforma ishin të mjaftueshme për të filluar bisedimet formale të pranimit.

BE-ja po planifikon sanksione të reja ndaj Rusisë, duke kufizuar edhe më tej eksportet.

Ndryshe, zyrtarja e lartë evropiane arriti në Kiev disa orë pasi Rusia lëshoi 25 raketa në Ukrainë – 15 prej të cilave kishin në shënjestër kryeqytetin.

/TV Arbëria

Powered by WordPress