Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Von Cramon: Në KE ekzistojnë parimet, në Kosovë mungon vullneti politik

Von Cramon: Në KE ekzistojnë parimet, në Kosovë mungon vullneti politik

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, ka shprehur rezervat e saj për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës në të ardhmen e afërt.

“Ka disa parime në Këshillin e Evropës dhe ajo që kam lexuar deri më tani nga analizat ligjore është se teorikisht, në letër, kuadri ligjor është aty, pra nuk është keq ajo çfarë ofron Kushtetuta, por zbatimi dhe realizimi i kuadrit kushtetues është i vonuar, kështu është edhe me rastin e Manastirit Deçanit, i cili nuk është zbatuar prej vitesh, si dhe mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara me të, madje edhe kundërshtimi ndaj anëtarëve të Këshillit të Evropës, duke u thënë se kjo qeveria nuk do ta kryej këtë, nuk ua lehtëson gjërat anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ecin përpara me aplikimin. Ky është vetëm një rast, por që nuk duhet nënvlerësuar, sepse liria e besimit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren shumë seriozisht nga Këshilli i Evropës dhe mendoj se kjo është diçka që mund të korrigjohet lehtësisht, sikur Qeveria të kishte vullnetin politik që më në fund të dilte me një propozim se si do ta bëjë këtë”, ka thënë Von Cramon, transmeton Paparaci.

 

Ajo ka paralajmëruar se ky është vit zgjedhor në Bashkimin Evropian dhe se është e nevojshme që urgjentisht të zgjidhen problemet e akumuluara, sidomos kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Unë mendoj se propozimi franko-gjerman për të arritur çdo lloj marrëveshjeje është një propozim i mirë dhe kam shpresuar se do të ishte bazë për zbatimin e shpejtë dhe gjithashtu që aneksi do t’i lejonte secilës palë të zbatojë pjesën e saj sa më shpejt të jetë e mundur për shkak të asaj që thashë, urgjencës, për shkak të zgjedhjeve në Uashington dhe Bruksel. Pra, këtu nuk shoh vullnet për të zbatuar, por vullnet për të pritur derisa pala tjetër të hedhë hapin e parë. Unë nuk mendoj se kjo është shumë e dobishme”, ka thënë ajo.

 

Ajo konsideron se masat e marra nga BE-ja ndaj Kosovës për mënyrën e zgjidhjes së krizës në veri të Kosovës janë edhe të ashpra edhe të pajustifikuara, dhe në një farë mënyre edhe të padrejta.

“Krahasuar me atë se si bëhen gjërat me Beogradin, duket se është shumë e padrejtë, e pajustifikuar për shumë njerëz këtu. Mendoj se në një moment, në fund të majit, kur gjërat u përshkallëzuan, të gjithë partnerët evropianë ishin shumë të dëshpëruar dhe donin të kenë diçka për t’i treguar Kosovës – nuk mund ta trajtoni situatën ashtu siç e keni trajtuar dhe duhet të mbani premtimet. Nga sa kuptova nga njerëzit që ishin shumë të përfshirë, ka një zhgënjim të madh se si kryeministri, si qeveria e ka trajtuar këtë krizë në fund të majit. Kjo kryesisht u shkaktua nga keq menaxhimi lokal. Automjete të blinduara para ndërtesave komunale, banesave, kopshteve, kështu që kur kam qenë aty kam biseduar me njerëzit dhe kam qenë shumë e hutuar dhe e irrituar nga ato masa të ashpra”, ka shtuar ajo.