BDI ka reaguar ndaj deklaratave të VMRO-DPMNE-së lidhur me kërkimin e një “zgjidhjeje ligjore” për provimin e jurisprudencës, duke e cilësuar këtë si përpjekje për sabotimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas BDI-së, zgjidhja ligjore tashmë ekziston në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht në nenin 23, ku përcaktohet qartë se të gjitha ligjet e tjera duhet të harmonizohen me këtë ligj brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi.
Nga kjo parti thonë se nuk ka nevojë për “zgjidhje të re”, por vetëm për zbatim të plotë të ligjit ekzistues.
“Çdo përpjekje për të kërkuar zgjidhje paralele ose alternative jashtë nenit 23 paraqet goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të Ligjit për Gjuhët dhe tentativë që ai të reduktohet në zbatim selektiv dhe të kufizuar”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Tutje, BDI thekson se nuk do të lejojë asnjë interpretim apo ndërhyrje ligjore që do ta vinte Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në pozitë të nënshtruar ndaj ligjeve të tjera.