Shkruan Elda Islami
Dje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë me një reagim të ashpër ndaj gazetarëve. Kjo pasoi një rast kur kameramani i mediumit “Paparaci” kishte xhiruar mbrojtjen e afërt të vajzave të presidentes në shkollën private ku ato vijojnë mësimet. Si rezultat i kësaj, kameramani në fjalë u arrestua.
Pas këtij rasti, kameramani Jetmir Muji, me urdhër të prokurorit Rrahim Podvorica, u lirua. Sipas prokurorit, xhirimi ishte bërë nga një hapësirë publike dhe nuk përbënte vepër penale.
Presidentja e Kosovës, në një konferencë për media të mbajtur sot, u distancua nga përgjegjësia për arrestimin e kameramanit. Ajo theksoi se vetë kishte kërkuar nga njësia e mbrojtjes së afërt që të mos prekin me dorë gazetarët.
Por a arsyetohet një reagim kaq i ashpër nga presidentja ndaj gazetarëve, pikërisht në këtë rast?
Sot gjithashtu, Presidentja e cilësoi si “politik” raportimin mbi faktin se vajzat e saj ndjekin mësimet në një shkollë private. Ajo thelloi më tej sulmin ndaj mediave, duke e lidhur hetimin për Radoiçiqin me gazetarët: “Janë hetuar Radoiçiqat,” deklaroi Osmani, duke shtuar se gjatë hetimeve janë zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tij. “E dinë ata kush janë, e kanë mizën pas veshit,” përfundoi presidentja.
A nuk do të ishte më e udhës që presidentja të fliste me emër e mbiemër? Sepse deklarata të tilla ‘në ajër’ vetëm sa rrisin rrezikun dhe nxisin më shumë urrejtje ndaj gazetarëve.
Presidentja nuk përmendi emra, duke thënë se kjo do të rrezikonte procesin e hetimeve.
A është ky rasti “ideal” që Osmani të tregojë për hetimet dhe bashkëpunëtorët e Radoiçiqit?
Në fakt, xhirimi nuk përfshinte vajzat e saj, por veturat e mbrojtjes së tyre. Megjithatë, ky u bë shkak që Osmani të “eskalojë” në deklaratë deri te çështja e Radoiçiqit.
Kjo nuk zgjidh asgjë. Përkundrazi, e thellon situatën dhe e shton presionin. Jemi dëshmitarë që gazetarët çdo ditë përballen me vështirësi, kërcënime, madje edhe sulme fizike.
Deklaratat “në ajër” vetëm sa po e rrisin pasigurinë në të cilën ushtrohet kjo punë.
Deklarimet e Osmanit edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka cilësuar sulm ndaj mediave, dhe i bën thirrje që të distancohet nga kjo praktik jodemokratike.
Shkollimi i vajzave të presidentes
Sa i përket shkollimit të vajzave të presidentes, raportimin për të ajo e konsideroi “politike”.
Në reagimin e saj Osmani tha se për pesë vite ato kanë ndjekur mësimet në shkollën fillore “Ismail Qemali”. Por, sipas saj, kushtet e papranueshme dhe mbingarkesa në klasa e detyruan të zgjedhë një shkollë private për vajzat e saj.
Presidentja përmendi si probleme: mbingarkesën në klasa me 40 nxënës dhe mungesën e sigurisë nga mjete të dyshimta.
“…edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të toaleteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër”, kështu deklaroi Presidentja.
Kjo nuk është domosdoshmërisht një arsyetim, por presidentja ka të drejtën ligjore dhe prindërore të dërgojë fëmijët ku të dëshirojë për arsimim. Por nuk ka të drejtë t’i mbyll sytë ndaj problemeve të vendit.
Megjithatë, për këto katër vite, kujt i ka shërbyer Vjosa Osmani si presidente? Kosovës, apo kujt?
Në katër vite mandat, të paktën një herë do të ishte dashur t’i adresonte këto probleme që vetë tani po i përmend. Jo vetëm presidentja, por edhe krerët e tjerë institucional.
E gjithë kjo zhurmë ndaj gazetarëve pas një xhirimi që nuk përfshinte as fytyrat e vajzave të presidentes, ndërsa asnjë fjalë për problemet reale të arsimit në Kosovë.
/TV Arbëria