Gazetari i sportit në Kanal10, Lorik Gashi ka marrë kërcënime nga kryetari i klubit të Phoenixit, Muhedin Ferati.
Ditë më parë Gashi kishte raportuar për vonesën e pagave për futbollistët në klubin që e drejton Ferati, gjë kjo që s’i paska pëlqyer drejtuesit të klubit. Ai ka shkëmbyer mesazhe me gazetarin, ku e ka ofenduar, dhe më pas edhe kërcënuar atë.
AGK para pak minutash ka reaguar për këtë rast, teksa fton FFK të reagojnë dhe Policinë e Kosovës të merret me rastin.Ja postimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës:
:AGK-ja dënon fyerjet dhe kërcënimet ndaj gazetarit të sportit, Lorik Gashi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka pranuar me shqetësim kërcënimet që janë bërë ndaj gazetarit të sportit, redaktor në Kanal10, Lorik Gashi.
Gashi ka prezantuar komunikimin që presidenti i klubit, Phoenix, Muhedin Ferati, ka bërë me të në rrjete sociale, ku ai e fyen dhe e kërcënon në mënyrë të përsëritur.
“Krejt robt ti q***a. Qite si lajm ti q***a krejt familjen. Veq edhe ni fjal po ta them po se hjeke postimin e rrejshem ateher kom me te befasue”, shkruan në një pjesë të mesazheve.
AGK-ja, e dënon fuqishëm gjuhën fyese dhe kërcënimin e drejtuesit të këtij klubi dhe fton organet e FFK-së të reagojnë, sikurse edhe Policinë e Kosovës që të merret me rastin.
Kërcënime të tilla rrezikojnë seriozisht punën e gazetarëve, të të gjitha sektorëve në këtë rast edhe ata të sportit.
Gashi kishte raportuar për vonesën e pagave për futbollistët në klubin që e drejton Ferti”, shkruan AGK.