Një vjedhje e rëndë me elemente të qarta të organizimit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë, duke shkaktuar dëme të mëdha financiare në Zonën Industriale Trepça.
Rreth orës 08:00, është raportuar vjedhja në kompaninë “Balkan Marble Trade ShPK”, ku sipas ankuesit janë marrë kabllo të energjisë elektrike dhe vegla pune në vlerë mbi 30 mijë euro.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se objekti ishte i pajisur me kamera sigurie dhe nga pamjet është vërejtur se rreth pesë persona kanë depërtuar në ambientet e firmës rreth orës 03:30, duke kryer vjedhjen brenda pak minutash.
Pak më vonë, rreth orës 08:30, është raportuar edhe një rast tjetër në rrugën Shala e Bajgorës, pranë ndërmarrjes SHA Trepça, ku është dëmtuar një trafo e rrymës dhe janë vjedhur disa kabllo elektrike. Sipas elektricistit të ndërmarrjes, dëmi i shkaktuar sillet nga 30 deri në 40 mijë euro.
Në të dy lokacionet kanë dalë njësitë relevante policore, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë mbledhur provat e para materiale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rastet janë iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar intensivisht për identifikimin e autorëve.
Dyshohet se bëhet fjalë për të njëjtin grup, i cili ka shfrytëzuar errësirën e natës për të goditur objektet industriale me interes për bakrin dhe pajisjet elektrike.
Policia po analizon pamjet e kamerave dhe po punon në disa pista hetimore, ndërsa priten zhvillime të reja në orët në vijim.