Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Vjedhja e votës hetohet, pushteti jo – standardi i dyfishtë i drejtësisë

Vjedhja e votës hetohet, pushteti jo – standardi i dyfishtë i drejtësisë

SHKRUAN: R.T

Aksioni i zhvilluar dje në Prizren, i lidhur me dyshimet për manipulime me vota, e ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes një plagë të vjetër të demokracisë sonë: cenimin e votës së lirë.

Vota, si themel i rendit demokratik, duhet të mbrohet me çdo kusht, pa dallim emrash, pozitash apo funksionesh. Por realiteti po dëshmon se drejtësia në Kosovë nuk po vepron gjithmonë me të njëjtin standard.

Nuk ka dilemë se çdo manipulim zgjedhor duhet të hetohet dhe ndëshkohet. Aksioni në Prizren është një hap që, në parim, duhet përshëndetur.

Por pyetja që lind natyrshëm është: pse prokuroria reagon shpejt dhe me vendosmëri vetëm në raste të caktuara, ndërsa në raste të tjera – sidomos kur përmendet kryeministri apo rrethi i tij politik – mbizotëron heshtja?

Ky kontrast po e dëmton rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Kur hetimet fokusohen kryesisht te nivelet e ulëta ose te figura pa mburojë politike, ndërsa rastet që prekin majat e pushtetit mbesin të paadresuara, krijohet perceptimi i një drejtësie selektive – një drejtësi që godet të dobëtit dhe kursen të fortët.
Prokuroria ka obligim kushtetues të veprojë pa frikë dhe pa ndikim politik.

Heshtja ose zvarritja e rasteve që lidhen me pushtetin ekzekutiv ngre dyshime serioze: a kemi të bëjmë me mungesë prove, apo me mungesë guximi institucional? Në të dyja rastet, dëmi është i madh.

Nëse vjedhja e votës konsiderohet krim – dhe me të drejtë është – atëherë ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.