Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vizita e Presidentes Osmani në Mitrovicë shkakton debate për paanshmërinë e saj

Vizita e Presidentes Osmani në Mitrovicë shkakton debate për paanshmërinë e saj

Vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mitrovicë për të uruar kryetarin e ri të komunës ka nxitur reagime dhe debat publik.

Analisti Shenoll Muharremi e ka kritikuar ashpër këtë vizitë, duke e cilësuar si të njëanshme dhe në kundërshtim me rolin kushtetues të presidentes. Ai ka shkruar:

“Sot na paska turpnu Presidentja. Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë me uruar një kryetar, po nuk ka shkuar me uruar askënd tjetër. Kjo është diçka e pazakontë dhe turp i madh”.

Muharremi ka shtuar:

“Ajo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme siç e kërkon Kushtetuta. Pse nuk shkoi me uruar në Prizren, Prishtinë apo Ferizaj?”

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe tendencioze. Ai ka deklaruar:

“Të thuash se Presidentja ‘nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër’ është tërësisht e pavërtetë. Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë këto pretendime”.

Kupina ka përmendur vizitat e presidentes në komuna të udhëhequra nga parti të ndryshme.

“Presidentja ka qenë në Dragash, të udhëhequr nga LDK-ja, në Ferizaj, të udhëhequr nga PDK-ja, dhe në Gjilan, të udhëhequr nga Vetëvendosje”.

Ai ka mohuar që këto vizita përbëjnë shkelje të paanshmërisë kushtetuese:

“Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale. Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese”.

Në përfundim, Kupina ka theksuar se sulmet ndaj Osmanit janë të motivuara politikisht:

“Problemi nuk është Presidentja. Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike”.

Reagime pati edhe nga kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, duke e quajtur këtë vizitë që nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje.

“Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, shkruan Hoti. /TVArbëria