Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vizita e Macronit në Tiranë dhe nderimi i Kadaresë kthejnë vëmendjen e Francës drejt Shqipërisë

Vizita e Macronit në Tiranë dhe nderimi i Kadaresë kthejnë vëmendjen e Francës drejt Shqipërisë

Pas disa periudhave bllokuese ndaj procesit të integrimit evropian, vizita e Presidentit Emanuel Macron në Tiranë e shoqëruar me një klimë tepër miqësore dhe dekorimi i veçantë i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare me titullin e Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit duket se kanë kthyer vëmendjen e Francës drejt Shqipërisë dhe procesit të integrimit evropian. 

Vizita e parë e një Presidenti francez në Shqipëri duket si një kthesë në marrëdhëniet shqiptaro-franceze dhe si një ogur i mirë në mbështetjen e rëndësishme që Franca pritet ti jap procesit të integrimit, kaq shumë i debatuar vitet e fundit.

Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes të organizuar në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij dy ditore, Macron tha se historia që bashkon dy vendet është pasuri e çmuar dhe se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ekonomike.

Ai ka shprehur mbështetje për procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Franca është e vendosur ta rentabilizojë këtë marrëdhënie dypalëshe, duke u mbështetur te frankofonia e vendit tuaj, te deti Mesdhe që kemi të përbashkët dhe ambiciet përballë sfidave të përbashkëta. Miqësia mes dy popujve tanë është shekullore, ju e përmendet. Dua të theksoj mbështetjen e Francës për atë që ne e quajmë procesin e zgjerimit”, deklaroi presidenti Macron.

Macron më tej shtoi se preferonte ta quante integrimin evropian jo një proces zgjerimi, por një proces ritakimi duke deklaruar se Shqipëria ka qenë këtu që në fillim dhe është qendra e Evropës.

“Preferoj ta quaj ritakim apo ribashkim. Mjafton të shohim një hartë dhe të shohim historinë tonë për të kuptuar që kjo Evropë nuk do të zgjerohet duke ju pritur, sepse ju jeni tashmë në qendër. Mjafton të shohim historinë tuaj për të thënë se nuk do të zgjerohemi, por do të bashkohemi sepse ju keni qenë këtu që në fillim”, u shpreh presidenti Macron.

/TV Arbëria