Ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken në Shqipëri, po cilësohet se do të ketë ndikim shumëdimensional.
Kështu vlerëson profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, i cili këtë vizitë e ndërlidhje edhe me rastin e Banjskës që ndodhi në veri të Kosovës.
Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, ai ka thënë sulmi i 24 shtatorit ua ka hapur sytë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
“Ngjarja e Banjskës tregon që qarqet ekstremiste ruso-serbe të gjitha janë të involvuara dhe unë mendoj që kjo ka qenë pikë kthese ku perëndimi e ka parë që ajo loja, pozicioni i moderuar që ka luajtur Serbia ka qenë vetëm sa për të fituar kohë dhe vërtetë Rusia po tenton ta zhvendos krizën e Ukrainës edhe në Ballkan dhe jo pak ekspertë edhe në perëndim kanë bërë një ndërlidhje edhe të ngjarjeve në Gaza me situatën në Banjskë”.
Sipas tij, ngjarja e Banjskës ishte një syçeltësi, por edhe një aksident që e zbuloi para kohe situatën në përgjithësi.
“Kjo kam përshtypjen që në NATO ka krijuar një alarm dhe një syçeltësi më të madhe dhe unë mendoj se kjo lidhet më këtë. Keni parasysh që edhe në kohën e luftës në Kosovë, Shqipëria ka shërbyer si një pikë mbështetëse për NATO-n dhe ShBA-në, por në këtë rrafsh nëse Rusia provon ta zgjerojë konfliktin, ardhja e Blinkenit ndikon në këtë relacion”, është shprehur profesori Sylë Ukshini.