Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vizioni për ta mbrojtur Kosovën nga Amerika me anë të BE-së, njëri nga gabimet fatale në politikën e jashtme të Albin Kurtit

Vizioni për ta mbrojtur Kosovën nga Amerika me anë të BE-së, njëri nga gabimet fatale në politikën e jashtme të Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli

Të gjithëve na kujtohen vlerësimet e Kryeministrit Albin Kurti se Kosova nuk është Meksikë, apo se ai nuk nënshtrohet as Shtëpisë së Bardh, të kuqe e të verdhë etj etj. Ishin këto vetëm disa nga veprimet e njohura të tij, për ta distancuar gjithnjë e më shumë fatin e Kosovës nga kanalet e diplomacisë amerikane dhe për ta lidhur atë edhe më shumë me atë evropiane.

Natyrisht, në këtë drejtim është vërejtur një afërsi më e madhe me shtetin gjerman, por duke mos përjashtuar as raportet me Francën. Dhe këtë avaz ai nuk e ka ndjekur vetëm në kohën e administratës Trump, por edhe nën mandatin e presidentit Biden. Disa zyrtarë të lartë të kësaj administrate kanë deklaruar, se nuk kanë marrë asnjë premtim nga Kurti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me drejtuesit e disa prej shteteve kryesore evropiane.

Të gjithëve na kujtohen zhvillimet në samitin e BE-së në Bruksel në tetorin e vitit të kaluar. Në margjina të këtij takimi kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç, ndaras nga njëri-tjetri, ishin takuar me liderët kryesorë të shteteve evropiane, sikur se presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin e Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak. Madje, nga ky takim kishte dalur edhe draft-statuti aktual i Asociacionit. Ndërkohë, pak pas përfundimit të këtij Samiti, kancelari i Gjermanisë O. Scholz, pohoi se gjatë takimeve që drejtuesi i Qeverisë së Kosovës ka pasur me ta, u ka premtuar se do ta themelojë këtë entitet. Zotimin e kryeministrit Kurti për ta zbatuar këtë obligim para diplomateve evropiane, për dallim nga ata amerikanë, asgjë nuk e konfirmon më mirë, se sa letra e dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bokjanis.

Ky flirtim diplomatik i të parit të Qeverisë së Kosovës me Brukselin dhe kryeqytete të veçanta evropiane, sikur se Berlinin, “kundër” Uashingtonit, tashmë ka filluar t’i jap efektet fatale për Kosovën në politikën e jashtme. Por për më shumë ai flet edhe për qasjen dhe besimin naiv, nëse nuk është në pyetje diçka tjetër, që kryeministri i Kosovës i ka bërë në përgjithësi procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk e ka kuptuar, ose ka dashur ta injoroi faktin, se Uashingtoni si synim kryesor të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka projektuar një marrëveshje finale obligative ligjore me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve. Kurse shumë vende evropiane e shndërruan këtë proces vetëm në një improvizim për t’ia lehtësuar rrugën e integrimit evropian Serbisë, pa e specifikuar asnjëherë njohjen si qëllim final të këtij procesi. Në një farë mënyre ato e shndërruan këtë ndërmarrje në mjet për rehabilitimin ndërkombëtar të shtetit të Serbisë.

Në këtë kontekst, situata pa shtegdalje në të cilën sot ndodhet shteti i Kosovës është pasojë pikërisht e investimit të gabuar në politikën e jashtme që ka bërë pushteti aktual. Prandaj, ne kemi ardhur në atë gjendje, ku grupe të armatosura paramilitare nga Serbia e sulmojnë Kosovën, por që ai shtet e kalon këtë akt pa asnjë pasojë ndërkombëtare.

Kurse Kosovës si dhuratë pas këtij ataku i ofrohet draft-statuti për Asociacionin, mbahet nën masa sanksionuese, dhe shantazhet se nëse nuk lëviz në drejtim të themelimit të këtij entiteti, do ta humb shansin e anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ndërkaq, përfaqësues të BE-së, presin me padurim të punojnë më Qeverinë e re të Serbisë, të përbërë nga element fashist e pro rus si dhe me qëndrim armiqësor ndaj vendeve fqinje sikur se Kosova dhe Bosnja në ndjekje të projektit nacionalist të “Botës Serbe”. /TV Arbëria

Powered by WordPress