Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka dhënë detaje për projektligjin për Sigurimet Shëndetësore.
Vitia ka thënë se për këtë ligj janë analizuar e studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë marrë parasysh gjithashtu rrethanat ekonomike e sociale në Kosovë.
“Sot kaloi në Qeveri, për t’u proceduar sa më shpejt në Kuvendin e Republikës. Është analizuar e studiuar, janë studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare, por duke marrë parasysh edhe realitetin tonë ekonomik e social. Jam i lumtur që pas një dekade ky ligj po e merr formën e vetë, të rrugëtimit të tij në Parlament, me shpresën që të miratohet sa më shpejt”, ka thënë Vitia.
Ai ka thënë se ky ligj përfshinë të gjithë popullatën dhe synimi është një qasje universale për ofrimin e shërbimeve themelore shëndetësore por edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve.