Shkruan Afrim Kasolli
Kosova po e përmbyll vitin 2024 me të njëjtat obligime dhe detyrime shtetërore që e filloi atë. Si dhe me një pozicion edhe me fragjil ndërkombëtar. Tema dominuese sa i përket zhvillimeve kryesore gjatë këtij harku kohor ishte veriu i vendit dhe kërkesat e vazhdueshme të shteteve të QUINT-it dhe Brukselit, në drejtim si të Prishtinës, ashtu edhe Beogradit për t’i zbatuar obligimet që dalin nga Marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksin e zbatimit të Ohrit, ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuqic, ishin pajtuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në fillim të vitit 2023.
Mirëpo, përkundër këtij dakordimi për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve sipas planit franko-gjerman, situata u tensionua deri në ekstrem nga sulmi paramilitar dhe terrorist serb që kishte ndodhur në shtator të vitit 2023, në fshatin Banjë në pjesën veriore, me që rast edhe kishte rënë hero polici Afrim Bunjaku.
Pas kësaj ngjarje, edhe përkundër zotimit të krerëve të shtetit se nuk do të mund ta vazhdonin procesin e dialogut me Serbinë, megjithatë në muajin tetor të vitit 2023 në margjina të takimit të BE-së, si kryeministri i Kosovës ashtu edhe presidenti i Serbisë, u takuan ndaras me liderët kryesorë të BE, takime këto nga të cilat doli edhe draft-statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Me imponimin e këtij dokumenti Kosovës iu shtuan edhe më shumë obligimet e brendshme sa i përket agjendës euro-atlantike. Kjo u pa qartë me rastin e dështimit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, edhe përkundër zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, për pronat e Manastirit të Deçanit. Po ashtu, më shpërfillje u trajtua edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Kjo procedurë ishte iniciuar në fund të vitit 2022, mirëpo që nga ajo kohë ky aplikacion ka mbetur në sirtarët e BE-së.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës po e përfundon si mandatin ashtu edhe këtë vit pas siguruar asnjë njohje të re shtetërore, për çka edhe kryeministri Kurti deklaroi se nuk kanë të drejtë ata që e kritikojnë për këtë dështim diplomatik, sepse sipas tij, asnjëherë ky zotim nuk ka qenë premtim i tij elektoral.
Ndërkohë, tensionet me shtetet e QUINT-it e arritën kulmin në kohën kur Qeveria e Kosovës, papritmas dhe në mënyrë të befasishme u zotua për ta ndryshuar statusin e urës mbi lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës Jugore me atë Veriore. Zyrtarë të njëpasnjëshëm të pushtetit u besatuan se do hapin këtë urë edhe për qarkullim të automjeteve. Kurse si përfaqësues të KFOR-it, ashtu edhe ambasadorë të vendeve perëndimore, e kundërshtuan këtë nismë në mënyrë kategorike. Madje ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kishte paralajmëruar se ky veprim mund shkaktonte edhe përplasje me trupat ndërkombëtare të stacionuara në Kosovë, duke mos përjashtuar as ata amerikanë. Nën valën e këtyre mosmarrëveshjeve dhe tensioneve, ateroi në Kosovës, krahas vizitës në disa vende tjera të rajonit, Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns. Vizitë kjo, e cila ndikoi në zbythjen e insistimit të pushtetit për hapje të asaj ure.
Sidoqoftë, sa për të “dëshmuar” se veriu i vendit vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë, pikërisht mbrëmjen e 29 nëntorit, policia e Kosovës tha se një shpërthim dëmtoi kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u shërben disa qyteteve dhe termocentraleve të vendit, që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike. Me këtë rast, kryeministri i Kosovës e cilësoi këtë sulm, si një akt kriminal dhe terrorist, të orkestruar nga Beogradi.
Mirëpo, pa kaluar shumë kohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se “është herët të dihet se kush është fajtor për sulmin dhe se në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup dhe asnjë shtet”. Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm, ai e mbajti edhe në një intervistë në TVA, kur pohoi se “duhet të pritet derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi” . Ndërkaq në anën tjetër, Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka pohuar se SHBA-të, nuk kanë konstatuar prova që lidhin Beogradin zyrtar me shpërthimin e kanalit të Ibër-Lepencit në Kosovë, ndërsa theksoi se hetimet janë duke vijuar. “Mendoj se ka një dëshirë nga të gjitha anët për të zbuluar të vërtetën se kush e ka bërë këtë. Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, ka deklaruar në mesa tjerave Hill. Ndërkohë, të dy të dërguarit diplomatik të Uashingtonit, kanë pohuar se “Byroja Federale për Hetime (FBI) është përfshirë në hetimet që po ndodhin për sulmin e 29 nëntorit në strukturën e kanalit të Ibër-Lepencit në komunën veriore të Zubin Potokut”.
Në këtë kontekst, ashtu siç e konfirmoi Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2024, Kosova krahas që do ta fillojë vitin 2025 nën masat sanksionuese, po ashtu mbi të bie barra për ta hedhur hapin fillestar në drejtim të zbatimit të detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e sipër cekura. Megjithatë, përkundër zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen me 9 shkurt të vitit të ardhshëm, po ashtu edhe ardhmja në shumë çka mbetet e paqartë, sidomos kur marrim parasysh ndryshimet që do të ndodhin në administratën amerikane me 21 janar, datë kjo kur edhe presidenti Dondal Trump do ta drejtojë Zyrën Ovale. Dhe ky ndryshim, sipas ish-diplomatit amerikan, Cameron Munter, do tw reflektohet edhe në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, sepse “qasja e deritashme nuk do të funksionojë më – nuk do të ketë më një Gabriel Escobar [ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor] që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi]”. /TV Arbëria