Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Viti 2023- viti i pasigurisë dhe konflikteve në botë

Viti 2023- viti i pasigurisë dhe konflikteve në botë

Vështrim: TV Arbëria- Bota po e përmbyll vitin 2023 më e pasigurt se kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Lulëzimi i forcave disruptive, ashpërsimi i rivaliteteve gjeopolitike, vazhdimi i konflikteve nga viti 2022, shpërthimi i të rejave, fatkeqësitë natyrore, përkeqësimi i sigurisë globale, thellimi i krizës ekologjike dhe sfida e suksesit të inteligjencës artificiale i dominuan ngjarjet kryesore të këtij viti.

Po ashtu, recesioni i demokracisë liberale, afirmimi i regjimeve autokratike dhe fuqizimi i lëvizjeve populiste, paraqesin një dëshmi shtesë në kuadër të pikturës së zymtë të vitit 2023 dhe që ka gjasa të na shoqërojnë edhe në vitin 2024.

Sikur të mos mjaftonte kriza politike, numri masiv i refugjatëve, dhe lufta disa vjeçare civile, në mëngjesin e 6 shkurtit një pjesë e Turqisë dhe Sirisë, u godit nga një tërmet me fuqi prej 7.8 ballësh duke lënë pas deri në 50.000 viktima. E të mos flasim këtu për dëmet materiale, pasojat ekonomike dhe shkatërrimet tjera që i shkaktoi kjo trandje “apokaliptike” sizimike.

Mirëpo, përtej kësaj fatkeqësie natyrore, polarizimeve ekstreme politike dhe çarjeve shoqërore, megjithatë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ia doli që t’i fitoi zgjedhjet presidenciale kundër oponentit të tij nga opozita e bashkuar, Kemal Kilicdaroglu.

Në këtë mënyrë , ai u bë lideri më jetëgjatë politik në Republikën e Turqisë, duke e tejkaluar kështu edhe Atatkurun, i njohur ndryshe si themeluesi modern i këtij shteti. Ndonëse shumë kush këtë fitore e quajti larg standardeve demokratike zgjedhore.

Nga polarizimet dhe përçarjet politike në këtë vit nuk ishte imune as politika amerikane. Duke qenë njëri nga shtetet me ndikimin më të madh planetar, efektet e kësaj ndarjeje pa dyshim se kanë edhe implikime ndërkombëtare. Një gjë e tillë u vërejt sidomos kohën e fundit kur u bllokua pakoja e ndihmave ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Sepse që nga fillimi ka qenë e ditur se pa këtë mbështetje as që mund të paramendohej rezistenca  Ukrainës përballë agresionit të Rusisë.

Ndërkohë, viti 2023 pjesën më të madhe u dominua nga vazhdimi i luftës në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin edhe pse tashmë i akuzuar, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, për krime lufte, përsëri deklaroi se nuk mund të ketë paqe deri sa të realizohen qëllimet e luftës në Ukrainë, sikurse; “denazifikimi, çmilitarizimi dhe neutraliteti i saj” .

Po ashtu, në qershor ai u ballafaqua me rrezikun e rebelimit të brendshëm. Udhëheqësi i grupit paramilitar Wagner Yevgeny Prigozhin, në mëngjesin e 24 qershorit lajmëroi se e kishin marrë nën kontroll qytetin jugor të Rusisë, Rostov.

Në një paraqitje në rrjetet sociale drejtuesi i këtij grupi, pohoi se tashmë ata ishin nisur drejt Moskës me qëllim largimin e komandantëve të korruptuar ushtarakë në kryeqendrën rus, të cilët sipas tij janë përgjegjës për humbjet e ushtrisë ruse në terrenin e luftës në Ukrainë.

Ky skenar u shmang pas një marrëveshje ndërmjet këtij grupi dhe autoriteteve të Kremlinit, sipas të cilës mercenarët e grupit Wagner do të mund të arratiseshin një Bjellorusi. Mirëpo, dy muaj më vonë Priogzhin vdiq në një aksident ajror.

Sidoqoftë, deri sa vëmendja e opinionit publik, mediave dhe diplomacisë ndërkombëtarë vazhdonte të ishte e fokusuar nga ecuria e kësaj lufte, një konflikt tjetër i “fjetur” shpërtheu papritmas në rajonin e Kaukazit.

Shteti i Azerbajxhanit në një operacion special e sulmoi krahinën e Nagorni-Karabak-ut, të kontrolluar nga Armenia. Dhe pse situata u “qetësua” pak ditë pas shpërthimit të këtij konflikti, megjithatë ai shkaktoi një eksod të madh të refugjatëve, duke e përkeqësuar edhe me tej numrin e refugjatëve në përmasa të përgjithshme.

Në këtë drejtim në “vitin 2023 u raportua për ikjen e ukrainasve nga pushtimi i vazhdueshëm rus; për largimin e armenëve nga Nagorno-Karabaku, pas pushtimit azerbajxhanas; për zhvendosjen e mbi 6 milionë afganëve brenda vendit të tyre, për shkak të dhunës dhe katastrofave natyrore; për efektet rajonale të luftës në Gazë; dhe për dëbimin nga Pakistani të qindra mijëra afganëve pa dokumente. Kështu bota sipas Organizata e Kombeve të Bashkuara, sot ka rreth 300 milionë njerëz cilësohen që njihen si refugjat, apo 3.6 për qind e popullsisë globale”.

Pa kaluar pak ditë nga kjo krizë, epiqendra vullkanike e konflikteve dhe tensioneve ndërshtetërore u zhvendos në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me 14 shtator një grup paramilitar dhe terrorist nga Serbia, sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte veriun e Kosovës – pretendime që i hodhi poshtë Beogradi zyrtar.

Ndërkohë, më 7 tetor bota u trondit nga një sulm tjetër i befasishëm i grupit militant palestinez Hamas kundër shtetit të Izraelit.

Në këtë inkursion që u konsiderua më vdekjeprurësi për këtë shtet, persona të armatosur të organizatës në fjalë përdoren eksplozivë për të thyer gardhin kufitar që rrethon Gazën, më pas kaluan me motoçikleta, kamionçina, parashuta dhe varka të shpejta në bregdet. Si pasojë e luftimeve u vranë mbi 1200 njerëz dhe u kidnapuan deri ne 240 persona. Ditën e sulmit kryeministri i Izraelit në fjalimin drejtuar kombit, deklaroi se Hamasi “do të paguajë një çmim të paprecedentë”.

Dhe se nuk jemi tashmë në një operacion special, por “ në një luftë që do të marrë kohë, si dhe do të jetë e vështirë”. Dhe kjo luftë fundi i së cilës nuk shihet në horizont është duke vazhduar ende. Izraeli është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet e të rrëzohet nga pushteti në Gazë si dhe të lirohen të gjitha pengjet. Ministria e Shëndetësisë në Gazë pohon se ka dokumentuar 20.057 vdekje në luftime dhe mbi 50.000 të plagosur.

Derisa ky konflikt rrezikonte të përhapej në një luftë rajonale, duke i tërhequr në vorbullën e tij edhe shtete tjera, në anën tjetër as këtë vit nuk munguan përpjekjet e shteteve autoritare për të çmontuar parimet e rendit aktual ndërkombëtar dhe për të ndërtuar një tjetër alternativ ndaj këtij të mbështetur nga SHBA-të.

Në funksion të këtyre qëllimeve gjeopolitike mund të shihet edhe takimi që u mbajt në Pekin ndërmjet dy autokratëve më të fuqishëm politikë, në kuadër të shënimit të projektit “Një Brez, një Rrugë”. Ky takim kishte ndodhur pikërisht në një kohë kur tensionet gjeopolitike patën arritur pikën kritike, si për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe për shkak të luftës së Izraelit kundër grupit militant palestinez të Hamasit.

Takimi i fundit ndërmjet Putinit dhe XI Jinping pat ndodhur pak javë para se i fundit ta ndërmerrte sulmin brutal mbi Ukrainën. Për ta përçuar mesazhin se Kina dhe Rusia tashmë nuk janë të vetme globalisht, në këtë ngjarje do të merrnin pjesë kryetarë, përfaqësues si dhe delegacione nga më shumë se nga 140 shtete.

Në kuadër të delegacioneve të shumta që ishin pjesëmarrës, nuk mungonte as presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq. Madje për hir të atij eventi ai e kishte refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Berlinit që po mbahej në Tiranë, duke dëshmuar se për të aleancat me Lindjen janë më prioritare se sa përpjekjet perëndimore për të stabilizuar rajonin tonë. Kurse në këtë mënyra Rusisë dhe Kina e përçonin mesazhin se tashmë nuk janë të vetme globalisht kundërt “hegjemonisë” amerikane.

Madje analistë, media dhe diplomatë të ndryshëm ndërkombëtar kanë pohuar se konfliktet e fundit janë interes i drejtpërdrejt i Carit të Rusisë me qëllim për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga lufta në Ukrainë në vatra tjera të konflikteve globale. Gazetari i BBC Steve Rosenebeg e në një shkrim për këtë medium e kishte krahasuar Vladimir Putitnin me një horr të stilit të James Bond, të ulur në një panel gjigant kontrolli, në një strehë malore, duke mbjellë kaos në mbarë botën.  Ai e shtyp një buton dhe ka trazira në Ballkan. E shtyp një tjetër dhe Lindja e Mesme shpërthen, duke transmetuar kështu mesazhin se si ngjarjet në veri të Kosovës ashtu edhe sulmi i Hamsati ndaj Izraelit të ketë qenë skenar i tij.

Në këtë kontekst, deri sa bota po bëhet gjithnjë e më hobsiane ku konkurrenca, rivaliteti e të gjithëve kundër të gjithëve, po e përshkon atë, një krizë tjetër, me përmasa të frikshme po e godet njerëzimin dita ditës, e për të cilën ky i fundit po bëhet gjithnjë e më pak i përgatitur.

Sipas raportit të këtij viti të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) kriza klimatike është duke rrezikuar t’i përmbys radikalisht edhe progresin drejtë kushteve me të mira shëndetësore. Fondet dhe mjetet ndërkombëtare për të mbrojtur shoqëritë dhe shtetet kundër valëve të të nxehtit, përmbytjeve dhe thatësirave aktualisht i plotësojnë vetëm 5-10% të nevojave aktuale. Madje shuma e tyre ka shënuar rënie gjatë viteve të fundit, deri sa kushtet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë me të ashpra. Raporti i Kombeve te Bashkuara për Ambientin (UNEP) vlerëson se ndërmjet 215 miliardë dhe 387 miliardë dollarë në vit nevojiten për përshtatjen klimatikë për vendet e varfëra dhe të pambrojtura vetëm në këtë dekadë.

Ky vit nuk kishte si të përfundonte edhe me shqetësimet që po i krijon suksesi i Inteligjencës Artificiale. Për të shmangur rreziqet që paraqet kjo botë, zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) para pak dite arritën një marrëveshje për rregullat botërore, sipas të cilave duhet të përdoret inteligjenca artificiale (IA) në bllokun me 27 vende anëtare.

Bota po hynë në vitin 2024 nën ndikimin e kësaj klime të pasigurisë, përçarjeve, rivaliteteve dhe paqartësive gjithnjë e më të shumta për të ardhmen. Shto këtu faktin se në vitin që po hyjmë do te mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, nga rezultatet e të cilave do të përcaktohet shumëçka jo vetëm në atë shtet, por edhe në përmasa planetare.

/TV Arbëria