Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > “Viti 2023 ishte një vit pozitiv për ekonominë dhe financat e Shqipërisë”

“Viti 2023 ishte një vit pozitiv për ekonominë dhe financat e Shqipërisë”

Ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Ervin Mete, zhvilloi një konferencën për mediat mbi zhvillimet kryesore ekonomike për vitin 2023, si dhe objektivat për vitin aktual 2024, ndërsa theksoi se ekonomia po hyn në një fazë të re zhvillimi, raporton Anadolu.

Në konferencën nga selia e Kryeministrisë së Shqipërisë, Mete u shpreh se viti 2023 ishte një vit pozitiv për ekonominë dhe financat e Shqipërisë, dhe shtoi se fundi i vitit ishte i qetë në aspektin e përballjes me një sërë ngjarjesh dhe krizash që ekonomia ka kaluar në vitet e fundit.

“Viti që lamë pas ishte një vit i mirë dhe pozitiv për ekonominë dhe financat, ndoshta fundviti i parë kaq i qetë në terma të përballjes me një sërë ngjarjesh dhe krizash që kemi kaluar gjatë viteve të fundit. Shqipëria dhe ekonomia shqiptare vlerësohet edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore si një nga ekonomitë më rezistente dhe me ecurinë më pozitive në rajon, me pritshmëri për rritje të mëtejshme”, tha Mete.

Ai tha se praktikisht, ekonomia e Shqipërisë po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe e konsideroi vitin 2023 si një vit të jashtëzakonshëm turistik, me nivele të larta të investimeve të huaja direkte dhe një performancë të mirë të të ardhurave.

“Kemi tashmë një turizëm thuajse gjithëvjetor, me mbi 10 milionë vizitorë të huaj, ku vlerësohet se për 9-mujorin e parë të vitit 2023 flukset hyrëse në Shqipëri nga turizmi kanë qenë afro 3,2 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Investimet e huaja direkte kanë patur po ashtu një trend rritës domethënës gjatë vitit 2023”, tha ai.

Mete theksoi se papunësia ka zbritur në nivele të ulëta historike, prej 10,5 për qind dhe tendenca është për rënie të mëtejshme poshtë nivelit 10 për qind në periudhat në vijim.

“Paralelisht, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti nivelin më të lartë historik prej 76 për qind në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023. Këto të dhëna janë inkurajuese për të vijuar më tej politikat e nxitjes së punësimit, me fokus uljen e mëtejshme të papunësisë sidomos për gratë dhe të rinjtë”, tha ministri Mete.

Mete u shpreh se gjatë vitit 2024 do të vijohet me rritjen e pagave në sektorin publik dhe sipas tij në muajt e parë të vitit do të finalizohen vendimet që specifikojnë rritjen për të gjitha kategoritë, për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe punonjësit e niveleve zbatuese të administratës.

Ministri Mete theksoi se parashikohet që ekonomia të vijojë zgjerimin e saj, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, ecuria e mirë e sektorit të energjisë dhe ai i ndërtimit.

 

Themes by WordPress