Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Visar Ymeri: Ndihmat financiare të Qeverisë – jo solidaritet, por marketing politik

Visar Ymeri: Ndihmat financiare të Qeverisë – jo solidaritet, por marketing politik

Analisti politik dhe ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për të ndarë ndihma financiare për studentët, pensionistët dhe familjet në nevojë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale. Sipas tij, ky veprim nuk përfaqëson solidaritet të sinqertë, por “marketing politik” i kryeministrit në largim, Albin Kurti.

“Ndihma financiare ndaj studentëve, pensionistëve dhe familjeve me qëllim të sanimit të rritjes së kostos së jetesës, në parim do të kishte qenë gjë e mirë. Në fund të fundit, këtë do të duhej ta bënte një qeveri social-demokrate,” shkruan Ymeri.

Megjithatë, ai kritikon mënyrën dhe kohën e dhënies së këtyre ndihmave, duke theksuar se kur ato vijnë në prag të zgjedhjeve, humbasin vlerën sociale dhe kthehen në mjete për përfitime politike.

“Kur këto ndihma vijnë në prag të zgjedhjeve (në këtë rast lokale), ato e humb kuptimin. Çka do të duhej të trajtohej si e drejtë e qytetarëve, shndërrohet në favor nga politikani (në këtë rast Albin Kurti),” thekson ai.

Ymeri argumenton se Kosova ka nevojë për mekanizma të qëndrueshëm institucionalë të mirëqenies, që ofrojnë parashikueshmëri dhe mbrojtje sociale për të gjithë qytetarët, në mënyrë të qëndrueshme dhe jo në formë selektive, sipas vullnetit të liderit politik.

“VV e Kurti kurrë nuk u denjuan që këto ndihma t’i shndërrojnë në të drejta për qytetarët, duke u kujdesur vazhdimisht që këto t’i mbajnë në nivel të zemërgjërësisë së Liderit, pa kurrfarë transparence, llogaridhënie e parashikueshmërie,” shkruan Ymeri më tej.